Bruno Shllaku: Për teatrin nuk diskutoj me askënd, as me vëllain tim

24/09/2018 13:03

Bruno Shllaku, një nga aktorët më të rëndësishëm të skenës dhe filmit shqiptar, shprehet i bindur për domosdoshmërinë e ndërtimit të një Teatri të Ri Kombëtar, pasi ai aktuali nuk plotëson asnjë standard.

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake Up” më Top Channel, aktori shkodran dha një përgjigje edhe për ata pak kolegë të tij të cilët kanë protestuar ndaj projektit për ndërtimin e teatrit të ri modern.

“Unë jam i biri i një regjisori që ka ndërtuar historikisht teatro në Shqipëri. Kam thënë dhe vazhdoj ta them që të hiqet fjala shembje, ai teatër nuk shembet, ai teatër ikën, për të rilindur një teatër i ri, i mirëfilltë”, tha Shllaku. I pyetur nëse e ka diskutuar këtë çështje edhe me vëllain e tij, Bruno Shllaku tha: “Për teatrin nuk diskutoj me askënd, as me vëllain tim”.

Aktori i njohur theksoi se ndërtimi i një teatri të ri ka qenë një kërkesë dhe ëndërr edhe e kolosëve të skenës shqiptare, si Kadri Roshi.
Bruno Shllaku vjen në Tiranë me shfaqjen “Rrajtë lëvizin”, përse sipas tij është e rëndësishme krijimtaria shqiptare dhe përse dramaturgjia e huaj nuk duhet të kthehet në epidemi.

Top Channel