Zëvendësi i Sessions: Fati i Rosenstein, i paqartë

22/09/2018 22:40

Karriera e Zv.Prokurorit të Përgjithshëm amerikan, Rod Rosenstein, që sipas mediave kishte diskutuar gjatë një takimi mundësinë e përgjimit të bisedave me Presidentin Donald Trump dhe mundësinë e largimit të tij nga posti, është tani e paqartë.

Trump tha një ditë më parë se në Departamentin e Drejtësisë ka një “erë të qelbur” që vetë ai “do ta eliminojë”. Megjithatë, nuk përmendi emra konkretë. Vetë Rosenstein hodhi poshtë atë që shkruhej në media dhe tha se nuk kishte sugjeruar përgjimin e Trumpit dhe as shkarkimin e tij përmes amendamentit të 25, si i paaftë për të qeverisur.

Sidoqoftë, një burim që kishte qenë në dhomë gjatë takimit kur Rosenstein supozohet se ka bërë komentet, tha për Zërin e Amerikës se komenti ishte bërë, por me ironi dhe nuk ishte diskutuar asnjëherë me qëllim që të regjistrohej një bisedë me Presidentin.

Sipas “New York Times”, Rosenstein i kishte bërë këto komente pranverën e vitit të shkuar, gjatë tensioneve të krijuara pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey. Ndërsa “Washington Post” përmend si burim të lajmit shënimet e mbajtura në atë kohë nga drejtori në detyrë i FBI-së, Andreë McCabe. Ky i fundit u shkarkua në fillim të këtij viti dhe një juri po shqyrton mundësinë e ngritjes së akuzave kundër tij për mashtrim të hetuesve dhe rrjedhje informacioni kur ai punonte në Departamentin e Drejtësisë.

Sipas avokatit të McCabe, shënimet iu dorëzuan prokurorit të posaçëm, Mueller, një vit më parë dhe një kopje mbeti në posedim të FBI-së, por nuk dihet se si shënimet kanë përfunduar në duart e medias.

Top Channel