“Top Story”/ PNUD: HEC-et e vegjël në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare

19/09/2018 21:06

“Vrasja e Valbonës”, është dokumentari i pare që shfaqet sot në Top Story. Një histori për shkatërrimin e zemrës blu të Alpeve Shqiptare, ku kompanitë private që po ndërtojnë HEC-et punojnë pa leje ndërtimi, nuk zbatojnë vendimet e gjykatave, dëmtojnë turizmin, falsifikojnë firmat e banorëve, shkatërrojnë natyrën si dhe e kthejnë Parkun e Valbonës në zonë industrial.

Një studim i Kombeve të Bashkuara, nga PNUD, i muajit shkurt 2018, i hartuar për llogari të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, nxjerr në pah se ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël janë në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare të firmosura nga Shqipëria, për ruajtjen e mjedisit.

Sot në Shqipëri, lumenjtë rrezikojnë të thahen, nga ndërtimi pa kriter i këtyre hidrocentraleve.

Prej vitit 2002 dhe deri më sot, rezulton të jenë firmosur 183 kontrata koncensionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve.

Nga këto leje të dhëna, 117 kanë përfunduar së ndërtuari, 43 janë në proces ndërtimi dhe 364 nuk kanë filluar ende të ndërtohen.

Raporti vijon më tej, se HEC-et nuk përllogarisin asnjë buxhet për kostot mjedisore, madje nuk ekziston as një rregullim ligjor, për dëmet që mund t’i shkaktohet mjedisit nga ndërtimi i një hidrocentrali. Për rrjedhojë, pasojat mjedisore që shkakton një HEC, sot mbulohen nga taksapaguesit shqiptarë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel