Nis regjistrimi në kopshte. Nuk pranohen fëmijë të pavaksinuar

03/09/2018 21:40

Ditën e hënë nisën regjistrimet në kopshte, proces që do të përfundojë më datë 17 shtator, kur do të nisë zyrtarisht viti i ri shkollor.

Drejtuesit e arsimit thonë se si sistemi privat, edhe ai publik monitorohen njësoj, por kërkesat për në publik janë rritur ndjeshëm.

Arjola Byzyka, drejtoresha e DAR Tiranë, shprehet: “Numri i të interesuarve është shumë i madh, por ne një shifër totale do ta kemi pas dy javësh, kur të përfundojë procesi i regjistrimeve në kopshte. Sot, në kopshtet e Tiranës janë 8 mijë fëmijë, gati 4-5 mijë shtohen çdo vit”.

Ndryshe nga çdo vit tjetër, në kuadër të reformës së derregullimit, prindërit e 3-vjeçarëve janë shumë herë më të lehtësuar. Kjo pasi do t’ju duhet të sigurojnë vetëm 1 dokument për regjistrim: “Duhet vetëm kartela e vaksinave, nuk do të pranohen fëmijë të pavaksinuar. Detyrimi i prindit është që të ketë vaksinuar fëmijën deri në moshën 3-vjeçare”.

Për drejtoreshën e Arsimit në Tiranë, ka disa arsye pse prindërit duhet të ndjekin kopshtet publike, edhe ata që kanë fëmijë me aftësi ndryshe: “Kanë infrastrukturë shumë të mirë brenda standardeve, ushqimi është i kontrrolluar me një menu të pasur sipas moshës. Në formimin e tyre edukatoret janë të përgatitura për të trajtuar edhe fëmijët me aftësi ndryshe”.

Top Channel