PD: Bega, lidhje me qeverinë. Paloka: Përse nuk reagon policia dhe Prokuroria?

19/08/2018 14:19

Partia Demokratike e konsideron biznesmenin Edmond Bego, të arrestuar nga policia greke për llogari të italianëve, si njeri të lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës.

Ndonëse Bego ishte dënuar në Itali me 21 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, sipas selisë blu ai gëzonte mbrojtjen e qeverisë shqiptare, arsye për të cilën – theksojnë demokratët, – i kërkuari ka vijuar të qëndrojë i lirë.

“Trafikanti ndërkombëtar i drogës, anëtari i bandës së Aldo Bares jetonte i lirë në Shqipëri, ku drejtonte edhe një biznes ndërtimi, nën mbrojtjen politike të kësaj qeverie. Nëse Edmond Bego nuk do të ishte nisur me pushime në Greqi, sot shqiptarët nuk do të dinin se një kriminel i rrezikshëm ka vazhduar të pasurohet lirisht, duke u lidhur drejtpërdrejt me disa nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, edhe pse ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali”, tha nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

Përmes nënkryetarit Paloka, demokratët për momentin i kanë akuzat në formë pyetjesh, ndonëse disa emra i lënë pa i përmendur.

“Si është e mundur që një trafikant ndërkombëtar droge, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, arrestohet nga policia greke por jo nga policia shqiptare? Si është e mundur që një trafikant i dënuar droge, jo vetëm nuk arrestohet, por bën i qetë biznes në Shqipëri? A është Taulant Balla, politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?”, tha Paloka.

Demokratët pohojnë se do t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve në ditët në vijim, por ndërkohë kërkojnë nga Prokuroria të hetojë përse policia shqiptare nuk veproi ndaj një personi në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.

Top Channel