Elda Kocia, vajza që frymëzon me format e kolme pa menduar paragjykimet

13/08/2018 19:19

Standardet e bukurisë ndryshojnë shpesh dhe format e preferuar fizike te femrat e te meshkujt janë në qendër të vëmendjes.

Ka diçka që nuk ndryshon kurrë, bukuria brenda njeriut dhe të qenit e lumtur me veten përtej pamjes fizike. Kjo është pak a shumë ajo çfarë beson edhe Elda Kocia, një vajzë me forma të kolme shumë larg vajzave elegante që mbushin revistat e modës. Kjo nuk e pengon aspak Eldën të pozojë me bikini dhe të jetë e lumtur pa menduar për paragjykimet. Ajo tashmë është kthyer në një frymëzim në rrjetet sociale për shumë vajza që e ndjekin. “I frymëzoj shumë me ato që ju them vajzave. Të kujdesen për trupin e tyre, për mendjen e tyre. Unë I motivoj sepse janë të shumta femrat shqiptare që kanë nevojë për motivim tregon Elda.

Por a ka tentuar ndonjëherë të humbë kilogram dhe cili është regjimi ushqimor i Eldës?

“Unë jam gjithë kohën me regjim ushqimor, jam gjithë kohën në lëvizje, në aktivitet. Dal që në 5 të mëngjesit bëj stërvitje. Ushqimin ma përgatit dietologia, ha shumë shëndetshëm. Nga problemi I tiroides mua më ka ardhur shëndeti të tepërt. Duhet të jemi pozitivë me veten tonë, duhet ta duam veten. Nuk duhet të gjykojmë njeriun nga format e trupit. Nuk duhet të jemi sipërfaqësor. Unë nuk e ekzagjeroj kurrë me ushqimin megjithatë kam këtë formë trupore”, thotë Elda.

Mesazhet që merr çdo ditë e mbushin me emocione jetën e saj. “Çdo ditë më shkruajnë vajza të cilat kanë dal me rroba banjo në plazh, e shijojnë jetën pa menduar për paragjykimet”.

Por asgjë nuk ka qenë e lehtë për Eldën. “Gjithçka ka qenë shumë e vështirë. Nuk kam qenë asnjëherë e dobët, unë kam qenë gjithmonë e shëndoshë, kam qenë gjithmonë e paragjykuar. Por asgjë nuk më ka penguar, kam bërë dy shkolla. Kam punuar, asgjë nuk më ka bërë të ndaloj”, tha plot frymëzim Elda.

Mesazhi i Eldës për të gjitha vajzat është “Ta doni sa më shumë veten tuaj, të bëni më të mirën për veten tuaj, mos u merrni me paragjykimet se njerëzit do të flasin gjithë kohën. Jetoni për veten tuaj”

E diplomuar për punë sociale, Elda ka edhe sipërmarrjen e saj e cila është e fokusuar në trajtimet e bukurisë.

Top Channel