Përmbytje në Francë, evakuohen 1600 persona në jug

10/08/2018 10:18

Përmbytjet e mëdha në jug të Francës kanë detyruar evakuimin e 1,600 personave, shumica prej tyre ndodheshin nëpër kampe, kanë njoftuar zyrtarët.

Ata po ashtu kanë bërë të ditur për zhdukjen e një burri gjerman, 70-vjeçar, i cili ishte duke drejtuar fëmijët në njërin nga kampet. Zonat më të prekura nga përmbytjet janë, Gard, Ardèche dhe Drôme. Më shumë se 400 zjarrfikës, policia dhe helikopterët janë angazhuar në procesin e evakuimit. Në operacion janë përfshirë edhe zhytësit. Disa persona janë dërguar në spital me lëndime të lehta.

Vetë të shpëtuarit tregojnë se stuhia e natës së mbrëmshme ishte jashtëzakonisht e fortë, dhe niveli i ujërave u rrit shpejt.

Përmbytjet kanë ardhur pasi jugu i Francës dhe pjesa më e madhe e Evropës janë përballur me temperatura jashtëzakonisht të larta. Ministria e Brendshme e Francës ka njoftuar përmes një deklarate se gjashtë departamente janë vënë në gjendje të jashtëzakonshme.

Top Channel