Samiti Trump-Putin në Helsinki, një ditë pas finales së Botërorit

15/07/2018 11:58

Kur presidenti rus Vladimir Putin të takojë presidentin Donald Trump në Helsinki, të hënën, ai do të ketë një avantazh të dukshëm. Takimi vjen një ditë pas finales së Kupës së Botës në Moskë, një ngjarje prestigji që ka frymëzuar një rritje patriotizmi në Rusi.

Pavarësisht se Rusia u eliminua në çerekfinale, rusët u ndienë më krenarë falë performancës së skuadrës së tyre. Takimi i së hënës i jep Putinit mundësinë të praktikojë një rol, për të cilin ai bën prova prej 18 vitesh: të luajë shtetarin.

Ashtu si në një dasmë mbretërore, apo në takimin e Trump me udhëheqësin koreano-verior në Singapor, Helsinki do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për kreun e Kremlinit dhe do ta vendosë atë në të njëjtën lartësi me homologun amerikan.

Takimi kokë më kokë me Trumpin i jep presidentit rus një mundësi që të shfaqet si një lojtar më i sigurtë. Sidoqoftë, të premten, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi akuzat për 12 oficerë të zbulimit rus, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, gjë që ka shtuar presionin mbi Trumpin për të anuluar takimin.

Por, kjo ka pak gjasa të ndodhë. Trump, që gjatë kësaj jave ishte në Bruksel dhe Britani, ka përsëritur apelet për marrëdhënie më të mira me Rusinë disa herë. Trump madje ka kritikuar në mënyrë të përsëritur hetimin mbi Rusinë, që implikon pjesëtarë të ekipit të tij elektoral, duke e quajtur “gjueti shtrigash”.

Takimi i Putinit me Trumpin mund të jetë në fakt ngjarja për të cilën ai ka nevojë. Rusët mund të jenë përfshirë nga ethet e Kupës së Botës, por festimet njëmujore nuk janë përkthyer në ndjesinë e një mirëqënieje më të madhe për qytetarët e vendit.

Sipas sondazheve, mirëqënia perceptohet më e dobët sesa një vit më parë, e rusët ndihen pesimistë për një varg faktorësh. Rritja e çmimeve dhe propozimi për rritjen e moshës së daljes në pension kanë tronditur besimin e rusëve.

Top Channel