Rusia dhe Greqia do të përjashtojnë nga dy diplomatë të njëri-tjetrit, në mesin e një përplasjeje të rrallë mes dy vendeve, shkak i së cilës është bërë çështja e Maqedonisë, që pret të marrë shumë shpejt zyrtarisht ftesën e anëtarësimit në NATO.

Athina do të largojë dy diplomatë rusë – thotë “Reuters”, – e t’u ndalojë hyrjen dy të tjerëve nën dyshimin se janë përpjekur të pengojnë arritjen e marrëveshjes së emrit me vendin fqinj.

Lajmin e përcjell e përditshmja “Kathimerini”, e cila thekson se ishte pikërisht kjo marrëveshje që do të zhbllokojë rrugën e Shkupit drejt aleancës së Atlantikut të Veriut, gjë që kundërshtohet me forcë nga Moska.

Ministria e Jashtme ruse, nga sa raporton agjencia e lajmeve “Interfax”, do të përgjigjet me të njëjtën monedhë.

Kjo është një ngjarje e pazakontë për dy vende të njohura për lidhjet e ngushta e të ngrohta me njëra-tjetrën, e që ndajnë gjithashtu edhe të njëjtin besim të krishterë ortodoks.

Në muajin mars, Greqia nuk iu bashkua anëtarëve të tjerë të NATO-s, që tërhoqën diplomatët nga Moska për shkak të helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal, në Salisbury.

Por, tani Athina është vënë në kurs përplasjeje me aleaten e saj, duke i akuzuar diplomatët e dëbuar për aktivitete që nuk përputheshin me statusin e tyre, përfshirë ato të paglijshme kundër sigurisë kombëtare të vendit dhe përpjekjet për ryshfet.

“Qeveria greke, – tha zëdhënësi i saj Dimitris Tzanakopoulos për “Skai TV”, – nuk mund të tolerojë sjellje që bien ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe që nuk tregojnë respekt për shtetin grek”.

Rusia e ka kundërshtuar me kohë zgjerimin e NATO-s në Lindje, të cilin e perception si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj vet sigurisë së saj.

Top Channel