Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar unanimisht shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në territorin e kesaj bashkie.

Anëtarët e Këshillit Bashkiak pranuan gjendjen ekstremisht të degraduar nga ana mjedisore në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane. Pas miratimit në mbledhjen e këshillit, Bashkia do t’i drejtohet “Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve”, një organ ndërministror i ngritur nga qeveria që në vitin 2013, për shpalljen e emergjencës mjedisore në Durrës, gjetjen e një alternative për depozitimin e mbetjeve dhe zgjidhjen e situatës për shkak të mostrajtimit të mbetjeve urbane.

Rreziqet nga situata e krijuar në 4 fushat e hedhjes së mbetjeve janë të larta në mjedis, shëndetin dhe jetën e banorëve, si dhe në zhvillimin e turizmit, veçanërisht për zonën bregdetare të Porto Romanos. Këshilltarët e Partisë Demokratike, ndonëse votuan këtë pikë të rendit të ditës pa hezitim, kërkuan që të jetë Këshilli Bashkiak dhe jo kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, autoriteti që do të bashkëpunojë me institucionet qendrore dhe koncensionarin e landfillit të Tiranës, për te kryer procedurat e mëtejshme për gjetjen e një zgjidhjeje efikase dhe të shpejtë për situatën e rëndë që kalon Durrësi.

Në mbledhjen e së martës, Këshilli Bashkiak miratoi dhe ndryshimet në sistemin e taksave dhe tarifave vendore për qytetin, përfshirë dhe taksën e pasurisë. Ndërkohë, u rrëzua pasi nuk siguruan votat e mjaftueshme pikat e rendit të ditës për shtimin e personelit të Bashkisë me 4 inspektorë për kontrollin e mbrojtjes së territorit, si dhe dhënia me qira e ambienteve sportive të shkollës së mesme publike “Leonik Tomeo” në Durrës.

Top Channel