Ish-deputeti i PS-së, Artan Gaçi, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, pa praninë e avokatit të tij.

I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, lidhur me arsyen e thirrjes, ai nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment.

Gaçi ishte paraqitur në ambientet e SPAK-ut edhe pak ditë më parë, kur avokati i tij u tha gazetarëve se ish-deputeti ishte pyetur në cilësinë e personit nën hetim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Gaçi dyshohet për pastrim parash. Siç raportoi më herët gazetarja Anila Hoxha, duke iu referuar burimeve pranë SPAK, hetimi është krejt i ri dhe lidhet me transferta të dyshuara parash në disa shtete.

Gazetarja Hoxha, duke cituar burime pranë SPAK, raporton se hetimi ka nisur pas këqyrjes së telefonit të një shtetaseje që ka qenë bashkëpunëtore e drejtësie në një dosje tjetër.

Aty janë gjetur komunikime për transferta monetare dhe nuk përjashtohet që në hetime të përfshihet edhe bashkëshortja e ish-deputetit, ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

 

Top Channel