Kosova anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë

09/07/2018 18:20

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka njoftuar përmes një statusi në rrjetet sociale se, nga kjo e hënë, Kuvendi i Kosovës është bërë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, në mbledhjen që është mbajtur në Kanada.

“Kam kënaqësinë e madhe që t’iu njoftoj se Kuvendi i Kosovës sapo është votuar që të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë. Unë jam i gëzuar që pas shumë përpjekjesh, kjo nismë për t’u bërë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar të parlamentarizmit u kurorëzua me sukses. Kjo është organizata më e madhe ndërkombëtare parlamentare, ku ne bëjmë pjesë, dhe ofron një mundësi të jashtëzakonshme për diplomaci parlamentare. Nëpërmjet këtij anëtarësimi forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, e do të kemi mundësi ta promovojmë Kosovën e ndërtojmë marrëdhënie me parlamentarë të vendeve që ende nuk na njohin”, shkruan Veseli, ndërsa lajmin e ka dhënë edhe në seancën plenare.

Anëtarësimi i Kuvendit të Kosovës në Frankofoni është nismë e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, i cili muaj më parë ka takuar krerët e kësaj Asambleje, ndërsa ka zhvilluar edhe takime të ndryshme gjatë vizitave zyrtare në vende të ndryshme.

Para një muaji, pikërisht për këtë çështje, kryeparlamentari Veseli ka pritur në Prishtinë Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Krabal.

Top Channel