Vulin ndalohet të hyjë në Kosovë; MPJ e Kosovës: Ministri serb s’ka leje

28/06/2018 12:19

Njësia Speciale e Kosovës është nisur drejt Veriut të vendit, pasi Ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i është ndaluar të marrë pjesë në Gazimenstan për festën e Vidovdanit.

Lajmin për ndalimin e hyrjes së ministrit serb e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. I pyetur në lidhje me zyrtarët serbë që kanë kërkuar leje të hyjnë në territorin e Kosovës për manifestimet e Vidovanit, Pacolli tha se vetëm ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin i është ndaluar hyrja.

Ministri Pacolli nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me arsyen e refuzimit të kërkesës së Vulinit. Sot janë planifikuar manifestime për festën ortodokse të Vidovdanit dhe policia e Kosovës, ka hartuar një plan operativ duke marrë masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Në një deklaratë të saj, ajo thekson se janë shtuar masat e sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri, para gjatë dhe pas manifestimeve. Policia ka njoftuar se do të ketë disa kufizime, bllokime të plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara të rrugëve, në zonat ku priten manifestime, si në Prishtinë, Gracanicë, Gazimestan etj.

Vidovdani lidhet me Betejën e Kosovës që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj. Gjatë kësaj feste, serbët zakonisht përdorin tone dhe thirrje nacionaliste si p.sh “Kosova është Serbi”.

Top Channel