Majko, bashkëbisedim virtual me diasporën

27/06/2018 10:15

Vendimet e miratuara së fundmi lidhur me zgjedhjen e përfaqësueseve të Këshillit Koordinues të diasporës dhe mbi kriteret e mënyrën e ndarjes së çmimit “Ambasador i Kombit”, ishin në fokus të bashkëbisedimit virtual që zhvilloi Ministri Pandeli Majko me përfaqësues të diasporës në shtete të ndryshme.

Në bashkëbisedimin e organizuar me ndërmjetësimin e organizatës “Germin”, për më shumë se një orë e gjysmë, Ministri iu përgjigj pyetjeve të një paneli mbarëbotëror, me përfaqësues nga SHBA, Kanadaja, Turqia, Spanja, Greqia, Britania e Madhe, Gjermania etj.

Përballë kërkesës së pjesëmarrësve në diskutim, që Këshilli Koordinues të jetë gjithëpërfshirës dhe i njëanshëm, z. Majko siguroi se mekanizmi që do të garantoje funksionimin e strukturës së këtij organizmi do jetë transparenca. Sipas Ministrit të Shtetit për Diasporën, legjislacioni i ri, i hartuar dhe miratuar në kohë rekord, nuk le vend për mangësi apo shkelje në procesin e zgjedhjes së pjesëtarëve të Këshillit. Përfaqësuesit e diasporës e pyetën gjithashtu Ministrin mbi samitin që pritet të mbahet në muajin nëntor, duke kërkuar bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim sa i përket organizimit të tij.

Majko theksoi se pavarësisht se organizohet nga qeveria, samiti i përket diasporës, e cila padyshim do të ketë rolin kryesor.Lidhur me çmimin “Ambasador i Kombit”, Ministri shprehu qëllimin për krijimin e një rrjeti “ambasadorësh”, që do të vlerësohen mbi bazë të kontributit, meritokracisë, transparencës dhe mirënjohjes publike.

U diskutua gjithashtu për të drejtën e votës, rëndësinë e teknologjisë për të arritur tek të gjithë shqiptarët dhe tejkalimin e pengesave për shfrytëzimin maksimal të potencialit të diasporës.Duke vlerësuar këtë lloj komunikimi me bashkëatdhetarët jashtë vendit, z. Majko dhe drejtoresha e programeve në organizatën Germin znj. Liza Gashi, shprehën qëllimin për bashkëbisedime të tjera të ngjashme në të ardhmen.

Top Channel