Fiter Bajrami në Kosovë, Myftiu flet për kontributin e fesë për kombin

15/06/2018 10:48

Në Kosovë, Namazi i Fitër Bajramit u fal 05:34, me orën lokale. Ashtu si në mbarë botën, kështu u çel edhe atje ceremonia e kremtimit të festës që pason 30 dite agjërimi për besimtarët myslimanë.

Eventi kryesor, ashtu siç kishte paralajmëruar Bashkësia Islame e Kosovës, është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, ku Myftiu Naim Ternava kujtoi 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, të festuar pak ditë më parë, dhe kontributin e njerëzve të fesë në këtë ngjarje të madhe.

“Mbajtja e kësaj ngjarjeje në xhami dëshmon për lidhjen mes fesë e vatanit, vërteton kontributin historik të hoxhallarëve në ruajtjen e kombit”, tha Tërnava. Ju thërras të gjithëve, popull e institucione, duke marrë shkas në festat tona fetare e institucionale, për t’u angazhuar për interesin e vendit, për të mirën e përbashkët, duke shfrytëzuar momente sikur këto”, u shpreh Naim Ternava.

Besimtarët që mbushen Xhaminë e Madhe e cilësuan festen e Fitër Bajramit si një triumf të sakrificës që bëjnë myslimanët gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Mes tyre, kishte dhe të mbërritur nga Shqipëria. Ceremonitë e faljes së namazit të kësaj dite u zhvilluan dhe në xhamitë e Mitrovicës, ku imamët, kërkuan gjatë ligjeratave të tyre që në të gjithë vendin të mbizotërojë paqja dhe dashamirësia mes njerëzve.

Top Channel