Prokurori Trenova “me shpatulla pas murit”, vendimi jepet më 20 qershor

14/06/2018 10:35

Pasuria dhe aftësitë profesionale të prokurorit të Apelit Gentian Trenova u diskutan gjatë në seancën dëgjimore në KPK ndaj tij.

Gentian Trenova që njihet si prokurori i Bandës së Lushnjës dhe i Aldo Bares u trajtua në seancën e vettingut, jo sikur ishte një nga njerëzit që i ka dhënë drejtesise, por sikur të ishte një i pandehur.

Pasuria dhe aftesitë profesionale e kthyen Gentian Trenovën në të akuzuar si të dyshuar si nga KPK, por edhe ONM.

Për blerjen e apartamentit 50 metra katrorë që më pas ia dhuroi vjehrrit, dupleksin e ndërtuar prej tyre dhe për dy kontrata, Gentian Trenovës iu kërkua llogari për mbi një orë.

Në kontratën e parë për blerjen e shtëpisë Trenova thoshte se do ta blinte 40 mijë euro. Në të dytën prokurori firmos se e ka blere 1 milionë e 900 mije lekë me ndihmën e 28 mije eurove kredie të shpenzuara edhe për mobilimin.

Pyetjes se kujt i duhej besuar dhe pse ia kishte dhuruar shtëpinë vjehrrit Prokurori u përgjigj se kjo është një marrëdhënie familjare.

Ndërsa për kontratat Trenova tregoi se e vlefshme është kontrata e dytë, përderisa kontrata e parë ishte një kontratë porosie. Por kolegu i tij belg, karriera e të cilit shënon 23 vite në akuzë dhe që së fundmi përfaqëson ONM, nuk i kurseu kritikat.

I bazuar ne folklorin belg me shprehjen “duhet zgjedhur mes dy të këqijave” , Teo Jacobc i kërkoi prokurorit të pranonte nëse në këtë pike kishte bërë deklaratë të rreme, apo kishte krijuar rrethana fiktive për blerjen e apartamentit.

“Përgjegjshmëria juaj si prokuror deri ku shkon”,- pyeti Jacobs,-sepse ju duhet të hetoni ata që shkelin ligjin”.

Edhe relatori Lulzim Hamitaj komentoi mbi gjetjet e KPK pasi sipas tij Trenova kishte cënuar etikën e magjistratit me këtë fakt. Pika tjetër që vështirësoi pozitën e prokurorit ishte pushimi i hetimeve për dy dosje, njëra për korrupsion ndaj prokurorit me inicialet A.K dhe tjetra për hetimin pasuror ndaj një të arrestuari për droge.

Teo Jacobs tha se e gjitha kjo nuk është profesionale, sepse sipas tij prokurori kishte mundësi ta hetonte kolegun. Duke theksuar se provat i kishte dorëzuar në komunikimin elektronik me KPK, Gentian Trenova tha se hetimi i prokurorit A.K, ishte mbajtur për dy vjet nga dy prokurorë të tjera Enkelejda Millonai dhe Manjola Kajana, të cilat nuk kishin bërë asnjë veprim hetimor.

“I pushova hetimet, – shpjegoi Trenova- sepse kishte kaluar kohe dhe nuk kishte asnjë prove. Për dosjen tjetër Trenova tregoi se policia nuk i kishte referuar të dhëna të mjaftueshme përsa kohë vetë ata i kishin referuar se i dyshuari jetonte në një banesë të vjetër.

Por pavarësisht komenteve për karrierën e tij dhe pasuritë, në përfundim Trenova foli për publikun përmes avokatit.

Top Channel