Qendra Ndërkombëtare e Kulturës ose e njohur ndryshe si “Piramida” u sulmua të martën nga disa persona që kishin hyrë për të vjedhur.

Piramida është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, ndërsa një pjesë e mjediseve të saj është në përdorim nga Top Channel në bazë të një kontrate qiraje.

Policia arrestoi një nga autorët, i cili dyshohet të ketë vjedhur disa kallbo elektrik duke shkaktuar avari në rrjetin e furnizimit me energji në ambientet dhe disa nga zyrat e Top Channel dhe “Top Albania Radio”.

Personat e pautorizuar të cilët hynë në mjediset e Top Channel kanë shfrytëzuar amortizimin e godinës në pjesën që menaxhohet nga autoritetet shtetërore për të depërtuar deri në mjedise të thella. Ata kanë thyer edhe një kamera sigurie të vendosur nga shërbimi privat i ruajtjes fizike.

Përveç amortizimit të godinës, dritaret dhe dyert e jashtme janë të thyera. Top Channel lajmëroi policinë mbi këtë rast, e cila kreu këqyrjen e vendngjarjes. Por sipas informacioneve, mjediset e “Piramidës” që është në pronësi të bashkisë po shfrytëzohen nga të rinjtë edhe për të konsumuar hashash. Për “Piramidën” prej vitesh është folur për një rikonstuksion total, i cili sipas bashkisë do të kthejë këtë godinë në një pikë takimi për artin por mbi të gjitha do të mund të vizitohet lirisht nga publiku.

Top Channel