Tarifat për hekurin, SHBA nuk do të përjashtojë BE-në

31/05/2018 11:23

Administrata Trump raportohet se planifikon të vendosë tarifa importi mbi hekurin dhe aluminin evropian, pasi nuk është e kënaqur nga përpjekjet e saj për të fituar lëshime tregtare mbi çështjen.

Një njoftim për mos përjashtimin më gjatë të BE nga tarifat globale prej 25 për qindësh për hekurin e importuar dhe 10 për qindësh për aluminin, do të publikohet gjatë ditës, shkruan “Wall Street Journal”. Lëvizja, do të shoqërohet me siguri nga kundërveprime të rregullatorëve tregtarë të Bashkimit Europian që kanë thënë se do të vënë në shënjestër produktet amerikane si motoçikletat, xhinset dhe burbonin nëse tarifat shtesë amerikane do të jetësohen.

Sinjale për një çarje në thellim e sipër mes SHBA dhe Europës, në lidhje me tregtinë u panë edhe të mërkurën, kur sekretari amerikan i tregtisë, Uilbur Ross, veçoi dukshëm negociatat me BE-në nga ato me kinën, duke thënë në Paris se Europa po i përdor tarifat si justifikim për të refuzuar negociatat tregtare.

“Kina po paguan tarifat e saj”, tha Ross, “Kina nuk e ka shfrytëzuar këtë si justifikim për të mos negociuar. Është vetëm BE ajo që insiston se nuk mund të negociojmë nëse ka tarifa”. Komentet e Ross u bënë pas kritikave të BE për tarifat e importit që administrata Trump ia vendosi dhjetëra partnerëve tregtarë, në mars.

Të martën, Shtëpia e bardhë, shtoi 50 miliardë dollarë tarifa të reja, pavarësisht se i tha kinës që mosmarrëveshja tregtare ishte pezull për sa kohë që negociatat do të vazhdonin. Negociatorët evropianë kanë thënë se janë të hapur për diskutime, por nuk do të negociojnë nën kërcënim.

Top Channel