Shkatërrohet shpella e stalaktiteve, u zbulua gjatë gërmimit të një guroreje

23/05/2018 19:56

Punimet për hapjen e një guroreje në fshatin Klos të Cërrikut kanë nxjerrë në pah një zbulim të jashtëzakonshëm.

Një shpellë në një shkëmb është zbuluar në Klos, ndërsa stalaktitet që ndodhen aty mendohet të jenë mijëra vjeçare.

Do të jenë specialistët ata që do të flasin për rëndësinë e këtij zbulimi ndërkohë që paraprakisht nga ajo që duket në dy javë të zbulimit të kësaj shpelle ka filluar të dëmtohet nga banorë të zonës, por edhe nga nxënësit e shkollave, të cilët në mënyrë të papërgjegjshme lejohen të hyjnë në këtë shpellë, megjithë rrezikun që ajo paraqet në ditët e para të zbulimit të saj.

“Njerëzit janë futur në shpellë dhe kanë nisur shkatërrimet. Janë shumë të bukura dhe duhen bërë të vizitueshme, duke rregulluar infrastrukturën”, thotë Aqif Mjeshtri, inxhinier Gjeolog.

Shpella të tilla të krijuara nga natyra në botë janë shndërruar në destinacione të rëndësishme turistike, por siç është bërë zakon tashmë në Shqipëri çdo gjë shkatërrohet ende pa nisur.

Asnjë institucion nuk mori masa për ruajtjen e objektit përveç dy shiritave të vendosur, ndërsa në vijim janë procedurat burokratike me shkresa që udhëtojnë nga njëri institucion në tjetrin. Dhe deri në gjetjen e institucionit që ka kompetencë të ruajë të të mirëmbajë objektin, ky i fundit do të jetë shkatërruar i tëri.

Top Channel