Policia gjermane, gjatë kontrolleve rutinë në një aeroport në jug të vendit, zbuloi disa fëmijë në moshë shkolle që po udhëtonin para kohës së pushimeve.

Pushimet e parakohshme nuk duken asgjë e çuditshme, por në Gjermani ligji i detyron prindërit që t’i çojnë fëmijët në shkollë, ndërsa arsimimi në shtëpi është i ndaluar. Mediat gjermane shkruajnë se policia ndaloi menjëherë 10 familjet me të cilët fëmijët udhëtonin dhe i mori ata në pyetje.

Ngjarja ndodhi në aeroportin e Memmingenit dhe duket se prindërit po përpiqeshin të shmangnin kulmin e sezonit të pushimeve, kur këto të fundit kushtojnë edhe më shumë. Pas zbulimit të detajeve, policia gjermane i lejoi familjet që të vazhdonin udhëtimin, por jo pa i dërguar një raportim të detajuar autoriteteve arsimore në Bavari.

Policia e aeroportit tha se familjet i kishin prenotuar pushimet dhe se do të ishte e paarsyeshme t’i kthenin mbrapsht, pavarësisht gabimit që kishin bërë. Sidoqoftë, familjet do të japin sqarime për mungesën e pajustifikuar të fëmijëve të tyre në shkollë tek autoritetet arsimore kur të kthehen nga pushimet dhe nëse sqarimi nuk është i kënaqshëm, gjoba arrin deri në 1 000 euro.

Shkolla është diçka që trajtohet shumë seriozisht nga autoritetet në Gjermani dhe vitin e shkuar pati mbi 5600 raste prindërish të gjobitur për mungesa të paarsyeshme të fëmijëve të tyre në shkollë, që gjeneruan mbi 618 000 euro për autoritetet lokale.

Top Channel