“Shqiptarët në Tollo janë aq të integruar, sa nëse një ditë do të vendosnin të mos punonin më, ekonomia do të goditej rëndë”.

Kështu u shpreh Kryebashkiaku i qytetit të njohur për vreshtat dhe ullishtet në rajonin e Abruzzo-s, Angelo Radica, gjatë takimit me Ministrin e Shtetit për Diasporën Pandeli Majko.

Ndërsa përmendi rëndësinë që ka komuniteti shqiptar dhe shembujt e panumërt të integrimit të suksesshëm, Radica sugjeroi që sistemi i Tollo-s të shfrytëzohej si model.

“Tollo është një emblemë e integrimit dhe unë do të doja ta propozoja atë si model, mbi bazën e praktikës europiane ‘bestpractice’. Kur diçka në një vend të caktuar funksionon mirë, duhet patjetër të kopjohet.”, tha Kryebashkiaku, i cili u shpreh i gatshëm të ofrojë bursa për studentët shqiptarë të cilët do të studiojnë sistemin e Tollo-s.

Kryetari i Bashkisë e shoqëroi më vonë Ministrin në takimin me përfaqësues të komunitetit, ku edhe një herë shprehu mirënjohjen për shqiptarët atje, duke i cilësuar shtyllë të shoqërisë së Tollo-s. Ai vlerësoi gjithashtu propozimet konkrete të Majkos për mësimin e gjuhës shqipe.

“Ai na dha një shembull se si mund të bashkohet dhe integrohet një komunitet”, tha me tej Radica.

Nga ana e tij, Ministri Majko falënderoi të pranishmit për emrin e mirë që i kanë dhënë komunitetit. Ministri shprehu qëllimin për krijimin e një marrëdhënieje me autoritetet rajonale, që siç tha, kanë një rol kyç sa i përket politikave për emigrantët. Në bashkëbisedimin e hapur u fol për reformat e ndërmarra deri më tani për çështjen e diasporës, pensioneve dhe gjithashtu të drejtën e votës. Sa i përket çështjes së pensioneve, Ministri pohoi se për çdo shtet po negociohej një mënyrë e caktuar veprimi.

Top Channel