Britania “lut” Amerikën. Sekretari Johnson: Ruani marrëveshjen me Iranin

07/05/2018 08:16

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson paralajmëron se, i vetmi që do të fitojë nga rrëzimi i marrëveshjes bërthamore ka për të qenë Irani.

Kjo do të thotë sipas Johnsonit se, Republikës Islamike i hiqen ato që ai i quan “pranga” të ujdisë nukleare.

Shefi i diplomacisë britanike është në Uashington dhe po përpiqet ta bindë presidentin amerikan Donald Trump të mos heqë dorë nga marrëveshja.

“Në këto rrethana kaq delikate, – shprehet ai, – largimi do të ishte një gabim”.

Përmes një shkrimi të botuar nga “New York Times”, kryediplomati anglez argumenton se, nga të gjitha opsionet e mundshme që garantojnë qëndrimin e Iranit larg armëve bërthamore, pakti i arritur në vitin 2015 ofron numrin më të vogël të disavantazheve.

“Padyshim që ka dobësira, – nënvizon Johnson. – Por, jam i bindur se mund të ndreqen, e madje në këtë moment, Britania po punon në krah të administratës ‘Trump’ dhe aleatëve tanë gjermanë e francezë, për t’u siguruar që kështu do të ndodhë”.

“Kursi më i mençur që mund të ndiqet tani, – vazhdon Sekretari i Jashtëm britanik, – është përmirësimi i ‘prangave’, e jo këputja e tyre”.

Një ditë më parë, kreu i shtetit iranian, Hassan Rouhani deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të pendohen si kurrë më parë në histori, nëse zgjedhin të heqin dorë nga ujdia. Paralajmërimi i tij vjen në kohën kur po afron afati i 12 majit, gjë që nënkupton fundin e periudhës 120-ditore të rishikimit, e kur shefit të Shtëpisë së Bardhë do t’i duhet të dalë me një vendim të qartë.

Top Channel