Pavarësisht nga ç’mund të mendojë Donald Trump e të tjerë, fituesja e vërtetë e Darkës me Korrespondentët në Shtëpinë e Bardhë e fitoi komediania Michelle Wolf. Interpretimi i saj nuk ishte thjesht me humor. Pushtimi i titujve të parë të gazetave e bën këtë komediane, e cila është në fillim të famës, edhe më të njohur.
Sigurisht, jo çdo batutë që tha shkaktoi të qeshura. Unë isha atje dhe disa prej batutave vunë shumë njerëz në siklet. Por komedia politike duhet të shihet pa siklet. Duhet të të bëjë të qeshësh në të njëjtën kohë që kundërshton pikëpamjet e tua. Dhe Wolf bëri pikërisht këtë, në çaste si: “Jam 32 vjeçe, moshë e çuditshme. 10 vite më e vogël për të drejtuar këtë shfaqje, 20 vite më e madhe për Roy Moore”.
E bëri përsëri me këtë batutën tjetër: “Trump i pëlqen nacionalistët e bardhë, një term i çuditshëm për ‘nazistë’. Të quash një nazist ‘nacionalist i bardhë’ është si të quash një pedofil ‘mik i fëmijëve’, apo Harvey Weinstein-in ‘burrë feminist’.
U vutë dhe ju pak në siklet? Shumë mirë. Këtë duhet të bëjë komedia politike, sidomos në kohën e Trump-it.
Është viti i dytë rresht që Trump nuk merr pjesë në darkën e të shtunës, por në vend të saj bëri “numrin” e vet përpara një turme mbështetësish, me kapela “MAGA” në kokë, në një miting në Uashington të Miçiganit. A mori të qeshura Trump në mitingun e tij? Sigurisht. Jam kritik i Trump-it por e pranoj që di të bëjë batuta me humor.
Por të dielën në mëngjes, Trump-i 71 vjeçar po krahasonte në Twitter veten e tij me një komediane 32-vjeçare: “Ndërkohë që Uashingtoni i Miçiganit pa sukses të madh, Uashingtoni D.C nuk shkoi mirë. Të gjithë po thonë që Darka e Korrespondentëve te Shtëpia e Bardhë ishte mbrëmje e mërzitshme, e zaptuar nga të ashtuquajturit komedianë.”
LEXO EDHE: “Pse disa politikanë u mbijetojnë skandaleve seksuale e disa jo?”
Pse disa politikanë u mbijetojnë skandaleve seksuale e disa jo?
Trump po e ndryshon përkufizimin e të qenit njeri idhnak e që s’mban dot shakanë. Cili president tjetër i SHBA-ve do të kishte dalë në Twitter e të krahasonte veten me një komendiane? Ndoshta herën tjetër do të dalë të thotë që është repist më i mirë se Kanye West.
Por më shumë diskutohet ajo që Trump la pa përmendur në postimin e Twitter-it për Darkën e Korrespondentëve në Shtëpinë e bardhë. Wolf është qortuar për batutat ndaj Sarah Sanders, Sekretares së Shtypit të Donald Trump-it, e cila ishte ulur në të njëjtin rresht ku po interpretonte Wolf. Ja një shembull i batutave të Wolf për Sanders: “Sarah Sanders më pëlqen. Është shumë e shkathët. Djeg fakte dhe përdor hirin për të krijuar një makijazh të përkryer. Ndoshta ka lindur ashtu. Ndoshta janë gënjeshtra. Me siguri që do të jenë gënjeshtra.” (Kini parasysh që Sanders ishte dërguar nga Trump si përfaqësuese e administratës, dhe akuzohet se ka servirur gënjeshtër pas gënjeshtre për popullin amerikan).
S’është batutë që unë do ta përdorja. Madje, besoj se çdo komedian mashkull që do ta përdorte, s’do t’ia hidhte paq. Por Wolf ia hodhi.
Mbështetësit e Trump-it u zemëruan që Wolf guxoi të tallte personin e dërguar për të përfaqësuar njeriun më të fuqishëm në kombin amerikan. Mercedes Schlapp, një këshilltare e lartë e Shtëpisë së Bardhë për komunikimin, e cila doli nga darka në shenjë proteste, bashkë me të shoqin, komentoi në “Fox & Friends” se batutat e Wolf-it ishin shumë fyese.
Më duket për të qeshur që dikush nga administrata e Trump-it quan fyese këto dhe mbron njeriun që mburrej se u “fuste duart” grave që me takimin e parë, që ka demonizuar myslimanët dhe meksikanët, dhe që është tallur me një gazetar me aftësi të kufizuara.
LEXO EDHE: “Çfarë kanë të përbashkët Melania Trump dhe Hillary Clinton?
Çfarë kanë të përbashkët Melania Trump dhe Hillary Clinton
John Bolton, këshilltari i ri i Trump-it për sigurinë kombëtare, një njeri që ka pasur bashkëpunime të ngushta me fanatikët më të egër anti-myslimanë, ndau të njëjtin zemërim kundër batutave të Wolf në “Fox News Sunday”, dhe tha që ishte “sjellje e qortueshme nga dikush që i adresohej atij publiku”. Ndoshta po ta kishte quajtur interpretimin e Wolf-it “bisedë për dhoma zhveshjeje palestrash”, mbështetësit e Trump-it, si Boltoni, do ta kishin lënë Wolf-in të qetë.
Edhe disa kritikë të Trump-it, si gazetarja e New York Times, Maggie Haberman, u shfaq e shqetësuar për Sandersin dhe e lëvdoi që e mbajti veten e nuk doli nga salla gjatë atyre batutave. Ndryshe nga ajo, unë e lëvdoj Sandersin që e mori humor.
Pavarësisht komenteve të shumta, Trump nuk i doli fare në mbrojtje personit që vuri si mburojë në luftën e batutave komike. Por po flasim për Trump-in. Ai mendon gjithnjë për veten.
Do të jetë interesante të shohim nëse Trump do të ketë guxim të marrë pjesë në Darkën e Korrespondentëve vitin e ardhshëm. Por ashtu si u bë për ujë të ftohtë në vitin 2011 nga komediani Seth Meyers, nuk besoj se do të marrë pjesë. Megjithatë, Wolf-in do ta shohim më shpesh vërdallë. E ardhmja e kësaj gruaje duket më premtuese se e Trump-it.
Dean Obeidallah, CNN
Top Channel