Kate Andersen Brower, CNN – Një ish modele e revistës Playboy, që thotë se ka pasur marrëdhënie me Presidentin Trump rreth 10 vite më parë, i kërkoi falje Zonjës së Parë Amerikane, Melania Trump, në një intervistë të dhënë dje në darkë. Të qenit një Zonjë e Parë e përfolur në publik është diçka që Melania tani e ndan bashkë me një grua tjetër, rivalen e bashkëshortit të saj për presidencën, armiken e përbetuar, ish Zonjën e Parë, Hillary Clinton.

Kate Brower

Karen McDougal i tha gazetarit Anderson Cooper në një intervistë ekskluzive për CNN se ajo ka pasur marrëdhënie seksuale me Donald Trump rreth një dekadë më parë, kur ai ishte i martuar, dhe që i vinte keq për atë që i kishte bërë gruas së Trump-it, Melanisë. “Ç’mund të thuash përveçse ‘më fal?’”, tha ajo duke shtuar me lot në sy: “Më vjen keq. Është diçka që s’do të doja të ma bënin mua”.

Shtëpia e Bardhë i ka mohuar pretendimet që u botuan në një artikull të Wall Street Journal para zgjedhjeve presidenciale; aty jepeshin detaje se si kompania mëmë e “The National Enquirer” kishte paguar për artikullin e McDouglas dhe nuk e kishte botuar kurrë.

Kërkesa për falje e McDouglas, bashkë me deklaratat e tjera publike nga aktorja e filmave pornografikë, Stormi Daniels (e cila gjithashtu tha se kishte pasur lidhje me Trump) e kanë vënë martesën e çiftit presidencial nën dritën e reflektorëve, në një mënyrë që nuk shihej që në vitet 1990, kur lidhja e Bill Klintonit me Monika Levinskin gjendej në çdo faqe të parë.

Në fakt, shumë Zonja të Para kanë vuajtur pabesi nga burrat e tyre, edhe pse larg vëmendjes së medieve. Por kjo ndodhte para se bota të kishte rrjete shoqërore dhe televizione kabllore.

Historitë për tradhti të panumërta nga Frenklin Rusvelt, Xhon Kenedi dhe të tjerë, kanë qenë aq legjendare, sa në vitin 1997, në një letër që Monika Levinski i dërgonte Bill Klintonit, ku i kërkonte të takoheshin, ajo i referohej gruas që Rusvelti e pati shumë kohë si të dashur, Lusi Merserit. “Dhe, bukurosh, mos harro që FDR s’do ta kishte refuzuar kurrë një takim me Lusi Merserin”.

Ish modelja e Playboy i thotë Melania Trump-it: “Më fal.”

Kur Rusvelti vdiq në vitin 1945, në Uorm Springs të Xhorxhias, SHBA, pranë tij qëndronte Lusi Merseri, jo gruaja e tij, Eleanor. Xheki Kenedi, gjithashtu, e dinte që bashkëshorti i saj takonte gra të tjera, por shtypi i asaj kohe kishte një “marrëveshje zotërinjsh” për të mos folur për gjëra të tilla.

Xheki kishte kaluar faza depresioni për shkak të tradhtive të të shoqit. Një herë, kur po shëtiste në Shtëpinë e Bardhë me një shoqen e saj, gazetare nga “Paris Match”, ajo kishte parë te zyra e sekretares së besuar të Kenedit, Evelin Linkoln, një grua që dyshohej se kishte marrëdhënie me të shoqin. Xheki ishte kthyer nga shoqja e saj dhe i kishte thënë në frëngjisht: “Kjo është ajo vajza që thuhet se fle me burrin tim”.

Por vetëm në kohën e Hillari Klintonit ndodhi që një Zonjë e Parë u detyrua të përballej në publik me akuzat e turpshme për tradhtinë e të shoqit. Ky ekspozim me përmasa kombëtare (botërore, në fakt) u bë më i madh se përvojat që Klinton kishte pasur si Zonjë e Parë e Guvernatorit të Arkansasit.

Por për Melanian është diçka e re, dhe asaj s’i pëlqen vëmendja publike.

Prirjet e Bill Klintonit për tradhti bashkëshortore nuk ishin sekret, dhe diheshin mirë mes qarqeve të brendshme, e madje dhe nga gruaja e tij, që më përpara se të fitonte presidencën. Gjatë fushatës zgjedhore në vitin 1992, një shoqe e ngushtë dhe këshilltare e Hillarit, Suzan Thomases, i kishte dhënë të njëjtin paralajmërim që Kenedit ia kishte dhënë një shok i veti, 36 vite më parë. Thomases i kishte thënë: “Nëse je aq budalla sa të prishësh gjithë zgjedhjen si president për hatër të penisit tënd, kam për t’u kthyer në shtëpi e do të marr njerëzit me vete”.

McDougal në foto me familjen Trump

Por Klintonin e përndoqi e shkuara edhe në Shtëpinë e Bardhë. Siç kam dhënë me detaje në një libër që kam shkruar për Zonjat e Para në vitin 2016, dikush që kishte qëndruar një natë, i ftuar në Shtëpinë e Bardhë, mbante mend se rreth mesnatës kishte rënë telefoni i katit të dytë. Presidenti e kishte hapur dhe pas një çasti kishte thënë “Mos, dreqin!” dhe e kishte përplasur receptorin me zhurmë. Klintoni e kishte ruajtur qëndrimin në festë dhe kishte vazhduar t’i shoqëronte miqtë deri në orët e para të mëngjesit, sikur të mos kishte ndodhur gjë.

Të nesërmen, të ftuarit (gjatë presidencës së Klintonit, Shtëpia e Bardhë kishte rregullisht të ftuar) u çuan dhe shkuan të hanë mëngjes te salloni plot diell, “Solariumi”, tavani prej xhami i të cilit lejon të shohësh Monumentin e Uashingtonit dhe Qendrën Tregtare. Në tryezë ishin vendosur gazetat “Washington Post”, “New York Times” dhe “Wall Street Journal”. Nga titujt u bë menjëherë e qartë se çfarë e kishte trazuar presidentin. Paula Xhons kishte ngritur padi duke e akuzuar se i kishte bërë propozime seksuale të padëshiruara, gjatë kohës që kishte qenë guvernator në Arkansas, kur ajo punonte në zyrën e tij.

Ndryshe nga Xheki, Hillari Klinton s’kishte zgjidhje tjetër përveçse t’i adresohej tradhtive të të shoqit në publik. Ashtu si Pat Nikson gjatë “Uotergejt”, Hillari Klinton ndaloi së lexuari gazeta dhe nisi të fajësojë të tjerët, në këtë rast republikanët, se po përpiqeshin t’i rrëzonin të shoqin nga posti presidencial.

“Sajoi një zgjidhje që i leverdiste”, thotë Thomases. “Për atë ishte e rëndësishme ta ruante martesën.” Shirli Sakava, e cila në atë kohë punonte si këshilltare e politikave të brendshme për Hillari Klintonin si dhe Zëvendës Kryetare e Stafit, (kur Hillari ishte Zonjë e Parë), tha se Monika Levinski ishte “shpërqendrim i madh”, dhe mban mend që pjesëtarë të qarqeve të brendshme të Hillarit ishin shumë të zemëruar në atë kohë. “Ishin kohë të vështira, dhe ajo i përballoi me hijeshi”.

Brenda mureve të Shtëpisë së Bardhë ishte përhapur një dhimbje e madhe. Hillari i kishte kaluar një herë këto, edhe gjatë një interviste në “60 Minutes”, në vitin 1992, kur kamerat ishin koreografuar mirë në kënde të zgjedhura me kujdes. Ajo ishte ulur përkrah të shoqit teksa atij i bëheshin pyetje të vështira për akuzat se kishte pasur lidhje 12-vjeçare me Xhenifer Flauers.

Lajmi i madh i asaj interviste nuk ishte ndonjë fjalë që kishte thënë Billi, por fakti që Hillari kishte folur jashtë skenari e kishte thënë: “Nuk jam ulur këtu si një grua e vogël, që rri përkrah të shoqit si Temi Uajnet”. Ajo ishte në dijeni të tradhtive të tij dhe s’do t’i lejonte t’i prishnin mundësinë për të fituar presidencën.

Por ashtu si dhe me Rusveltët para tyre, Klintonët qëndruan të bashkuar falë partneriteteve politike dhe dashamirësisë së ndërsjellë. E njëjta gjë vlente dhe për Kenedit. Një javë pas përvjetorit të 10-të të martesës. Xheki i shkroi një letër mikut të saj, Çarli Barlet, që kishte shërbyer si mblesi i të dyve. I thoshte që e dinte se Kenedi do të kishte qenë i lumtur po të mos ishte martuar, por jeta e saj pa Kenedin do të kishte qenë boshe, dhe ajo do ta kishte ditur këtë për çdo ditë.

Mbetet për t’u parë nëse lidhja e çiftit Trump do të jetë po kaq e fortë.

Top Channel