Ambasadori i Italisë në Shqipëri e cilëson pak favorizuese për kompanit italiane klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

Sipas Alberto Cutillos, kjo ndodh për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit me të cilën përballet sipërmarrja private.

“Korrupsioni është problem që dëmton qytetarët dhe bizneset në të gjitha vendet prandaj qeveritë përfshi edhe atë shqiptare duhet të angazhohen për ta luftuar. Sipërmarrësit italianë janë shumë të interesuar për Shqipërinë dhe këtë e dëshmon edhe takimi i shkurtit ku rreth 200 biznese italiane shfaqën interesin për investime por ata dëshirojnë që qeveria juaj ta luftojë në mënyrë të vendosur korrupsionin. Ka sipërmarrës italianë që janë dshqetësuar prej fenomenit dhe në rastet kur ka pasur thyerje të ligjit i janë drejtuar gjykatave”, deklaroi kryediplomati italian në Tiranë.

Ambasadori italian komentoi edhe rekomandimin për hapjene negociatave me BE.

“Rekomandimi i 18 prillit është një arsye e favorshme për të qenë optimist. Qytetarët shqiptarë shpresojnë që ata që kryejnë krime të gjykohen dhe kur gjenden fajtorë të dënohen. Peshq të vegjël apo të mëdhenj ata që thyejnë ligjin duhet të bëhen përgjegjës. Shqipëria po përpiqet të demonstrojë një nivel të funksionimit të drejtësisë më të mirë dhe këtë BE e ka vlerësuar dhe shpresojmë që të kthehet në një argument për çeljen e negociatave”, thotë Cutillo.

Këto komente Ambasadori i bëri nga Universiteti i Gjirokastrës, ku zhvilloi një leksion të hapur mbi sfidat e integrimit.

Top Channel