Kur e gjithë vëmendja ishte e përqëndruar tek gjyqi për masat e sigurisë për protestuesit e Kukësit, vjen një lëvizje tjetër nga mazhoranca.

Në orën 12:24 minuta Kuvendi njoftoi beftas se Komisioni hetimor “Tahiri” do zhvillonte mbledhje vetëm 6 minuta më pas. Demokratët me fokus tek protesta dhe socialistët u zunë drejtimin në komision.

Por sipas ligjit nënkryetari drejton mbledhjen vetëm me autorizim të kryetarit. Kjo i mungonte Ermonela Felajt, e cila thotë se i mjafton procesverbali i mbledhjes së shkuar.

“Njoftimi është brë, njoftimi është publik dhe është i zbardhur dhe unë jo më kot iu referova procesverbalit të datës 26 mars. Nuk ka qenë nevojë për të marrë një autorizim”, deklaroi nënkryetarja e Komisionit Hetimor, Ermonela Felaj.

Edi Paloka deklaroi se e ka vënë në dijeni administratën se nuk do ketë mbledhje të mërkurën.

“Për të tërhequr vëmendjen Rama ka urdhëruar shkeljen e ligjit në Komisionin Hetimor. Si kryetar i Komisionit “Tahiri”, informoj gjithë opinionin, se sot jo vetëm nuk e kam thirrur komisionin hetimor siç përcaktohet nga ligji, por pas interesimit të administratës të Kuvendit dhe të komisionit i kam njoftuar se sot nuk do të ketë mbledhje të Komisionit Hetimor”, deklaroi Paloka.

Demokratët kërkuan hetim për lidhjet e qeverisë Rama me kultivimin dhe trafikun e drogës, me protagonist kryesor ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Socialistet treguan planin e tyre për të hetuar kryesisht rolin e Sali Berishës dhe djalit të tij, Shkëlzenit, të Lulzim Bashës dhe të ish-drejtuesve të policies në kultivimin dhe trafikimine drogës.

Top Channel