Ministria e Jashtme ruse thirri ambasadorët e vendeve të huaja që kanë dëbuar diplomatë rusë, për t’u dorëzuar atyre nota proteste dhe për t’i informuar mbi kundërpërgjigjen e Rusisë.

Vendet e njoftuara nga Moska për dëbime diplomatësh ishin 23, mes tyre edhe Shqipëria. Selia diplomatike ruse thirri ambasadorin shqiptar në Rusi Arben Gazioni për t’i kërkuar sqarime dhe për ta informuar për dëbimet e shqiptarëve.

Rusia i kërkoi ambasadorëve të huaj që të dërgojnë në shtëpi një numër stafi të barabartë me numrin e rusëve që vendet respektive kanë dëbuar. Rrjedhimisht, Shqipërisë i është kërkuar të kthejë dy sekretarë të ambasadës, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.

Pak ditë më parë, Shqipëria dëboi dy zyrtarë të ambasadës ruse, pikërisht Vladislav Filipov, atashe ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës.

Masat e Tiranës u morën në solidarizim dhe mbështetje me Britaninë e madhe dhe vendet e tjera perëndimore që dëbuan dhjetëra diplomatë rusë si reagim për sulmin me armë kimike ndaj ish agjentit rus Sergei Skripal në Salisbury, ku u lëndua rëndë edhe vajza e tij Julia.

Moska i ka mohuar akuzat të ketë dorë në ngjarje dhe tha se po dëbon diplomatët si reagim ndaj veprimeve të gabuara të vendeve perëndimore. por këto të fundit, thonë se Rusia nuk ka justifikim për dëbimin dhe se nuk duhet të sillet sikur është një viktimë e situatës.

Top Channel