“Rojtarja” që (s)funksionon! Gjykata Kushtetuese në kolaps

23/03/2018 18:02

Gjyqtari Fatos Lulo ngeci në sitën e vettingut të paktën deri në momentin kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk vendos ndryshe, nëse gjyqtari vendos ta apelojë vendimin e Komisioni të Pavarur të Kualfikimit.

Ky vendim fut në një ngërç akoma më të thellë Gjykatën Kushtetuese. Rojtarja e Kushtetutës është tani me vetëm pesë anëtarë, minimumi që institucioni të mblidhet dhe të shqyrtojë çështje, por që vendimet të jenë të vlefshme ato duhet të jenë unanime.

Mes pesë anëtarëve është edhe Vitore Tushaj, të cilës i ka mbaruar mandati, por vijon të ushtrojë detyrën dhe Gani Dizdari, i cili ka mbushur moshën e pensionit.

Kjo situatë u paralajmërua nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja që në dhjetor të vitit të kaluar.

“Vështirësia është e madhe përsa i përket funksionimit, por kjo mund të penalizojë shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, sepse zgjidhja nuk bëhet për shkak të meritës, por për shkak të mosformimit të kuorumit. Dihet që nëse do të ketë qëndrim, do të ketë vendim nga Strasburgu. Ne kishim parashikuar që të fusnim gjyqtarin zëvendësues, pra gjyqtarin rezervë. menduam që mund të jenë mjaftueshëm tre, nga nëntë që jemi, tre të jenë rezervë. Parimisht, Komisioni i Reformës ishte dakord, nuk e di pse nuk u përfshinë”, deklaronte ai në një intervistë për Top Channel.

Në atë kohë, Dedja propozonte që të bëhej emërimi i gjyqtarëve pa kaluar vettingun.

“Duke patur parasysh vështirësitë dhe situatën, mund të bëhej një emërim i gjyqtarëve kushtetues pa e kaluar vettingun, siç ka qenë sepse, të gjithë ne që jemi në detyrë, jemi pa e kaluar vettingun. Këta persona të emëroheshin dhe nëse nuk e kalojnë vettingun të largohen”, shtonte ai.

Top Channel