Peleshi: Tregu të hyjë në regjim dhe disiplinim sipas standardeve evropiane

16/03/2018 10:35

Për ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi, tashmë ka ardhur momenti, që gjithë tregu të hyjë në një regjim dhe disiplinim, sipas standardeve evropiane, pasi kjo është e vetmja rrugë, që të rriten sektorë të tillë, si ai i prodhimit dhe përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij dhe ai i mishit, pra në tërësi e gjithë ekonomia shqiptare.

Ai ishte për vizitë në qarkun e Gjirokastrës, ku vizitoi një stabiliment modern të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij.

“Dua ta ritheksoj, në qoftë se, Shqipëria nuk arrin dot të hapë eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kjo industri nuk mund të rritet. Fermeri shqiptar nuk mund të rritet sado subvencione t`i japim ne, sepse pa patur të garantuar shitjen, nuk investon për të rritur tufën e vet, bagëtinë e vet. Kështu, që sfida jonë, detyra jonë si Ministri, si institucione, si qeveri shqiptare është të ndërtojmë një sistem funksional sipas standardeve të Bashkimit Evropian, ta certifikojmë atë nga audituesit e Bashkimit Evropian. T`i japim mundësi eksporti dhe këtij sektori siç janë sektorët e tjerë, peshkimi, bujqësia që po ecin shumë mirë, në mënyrë që të kemi një bum, bazuar në një traditë të shkëlqyer, siç është zona e Gjirokastrës përshembull, për bagëtitë e imëta, që kanë cilësi fantastike të kërkuara nga gjithë tregu”, tha Peleshi.

Në vijim të këtij argumenti, Ministri ka theksuar masat dhe mbështetjen financiare që qeveria shqiptare ka përgatitur me Skemën e mbështetjes financiare për zhvillimin rural dhe agropërpunimin, dhe për këtë sektor në veçanti, aplikimet për subvencionime, grante dhe mbështetje financiare kanë nisur të kryhen në çdo Agropikave me 28 shkurt dhe do të zgjasin një muaj.

Nga kjo skemë për ndërtimin e pikave të reja të grumbullimit të qumështit dhe pajisjeve të nevojshme në to, masa e mbështetjes do të jetë, jo më shumë se 3 milionë lekë. Për makineri dhe pajisje për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat blegtorale, me jo më pak se 10 lopë dhe jo më pak se 100 të imëta, masa e financimit do të jetë, jo më shumë se 1 milion lekë. Një rëndësi e veçantë u është kushtuar sistemeve ftohëse të qumështit për pikat e grumbullimit dhe të përpunimit të qumështit, financimi i cilave do të jetë, jo më shumë se 1 milion lekë. Për dorëzimin e qumështit, që plotëson standardet në fuqi, në vlerën 10 lekë për litër në pikat e përpunimit, për fermat me mbi 15 krerë lopë kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe raport analizës laboratorike përkatëse.

Për ministrin Peleshi gjithë politika që po ndiqet do të çojë në garantimin e një tregu të konsoliduar dhe të hapje e sigurtë drejt Bashkimit Evropian.

 

Top Channel