Gra dhe vajza nga qytete dhe zona të ndryshme të Greqisë janë mbledhur në qytetin e Selanikut, në një konferencë me temë “Gruaja dhe roli i saj në shoqëri: sfidat e kohës”.

Nën kujdesin e organizatës “Jeta”, kjo është hera e dytë brenda një viti që gratë shqiptare mblidhen dhe diskutojnë në një nivel të tillë, për rolin e fuqishëm të gruas shqiptare në shoqërinë greke dhe jo vetëm, si dhe për përballimin e sfidave të ndryshme të jetës.

Ato kanë ndarë eksperienca të shumta edhe nga gra tashmë të spikatura në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, kulturës, arsimit, shkencës dhe politikës.

“Organizata Jeta ka si qëllim që të afrojë në gjirin e saj sa më shumë gra emigrante që jetojnë në Greqi, e të gjitha së bashku të diskutojmë problemet që kemi, gjërat që na ofrojnë dhe të ndihmojmë e të mbështesim njëra-tjetrën”, është shprehur Elona Kataro, presidente e organizatës “Jeta”.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe konsullja e përgjitshme në Selanik, zonja Pavlina Ylli, ndërsa të ftuara kanë qenë edhe zonja të njohura në shoqërinë greke.

“Qëllimi i kësaj konference është integrimi i gruas shqiptare në shoqërinë greke, por jo vetëm, edhe më tej. Duhet të na njohin edhe pjesa shqiptare, që këtu në Greqi nuk ka vetëm gra të thjeshta, por edhe gra që kanë kontribuar me jetën e tyre sociale”, ka thënë Fatime Menalla, nënkryetare e “Jeta”-s, Selanik.

Pasi është theksuar ndihma e gruas shqiptare në ruajtjen e traditave më të rëndësishme kombëtare dhe sidomos të gjuhës dhe kulturës, në konferencë janë hedhur mendime për hapa të mëtejshëm në arsimimin e fëmijëve dhe mësimin e gjuhës shqipe te fëmijët e brezit të dytë.

Top Channel