Papunësia, Instat: Ulet numri. Problem mbetet punësimi i të rinjve

12/03/2018 14:33

Instituti i Statistikave raportoi se papunësia në Shqipëri arriti nivelin më të ulët që prej vitit 2008 duke zbritur në tremujorin e katërt të 2017-s në 13.4 për qind, nga 14.2 për qind që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shifra absolute, janë rreth 3000 të papunë më pak.

Ky është i teti tremujor radhazi që papunësia shënon rënie në Shqipëri, duke zbritur nga 17.3 për qind që ishte në fund të 2015-ës, në 13.4 në dhjetor të 2017.

Problem mbetet papunësia tek moshat e reja, ku edhe pse ka rënie të treguesit në 24,6 për qind një në katër të rinj të moshës 15 deri 29 vjeç mbetet i papunë.

Instituti thotë se papunësia në Shqipëri zbriti për herë të parë në nivelet e para 2008, kur ekonomia filloi të goditej nga kriza, falë rritjes së punësimit në sektorin privat jobujqësor.

Punësimi u rrit në sektorin e shërbimeve me 8,4 për qind dhe sektorin industrisë me 7,3 për qind. Ndërkohë, sektori i bujqësisë, më i madhi në vend, pati një rënie të punësimit prej 1,5 për qind.

Mbetet e paqartë paqartë se ç’pjesë e kësaj rritje vjen nga vendet e punës të krijuara rishtazi dhe ç’pjesë i përket formalizimit të punonjësve që më parë kanë qenë në të zezë.

Top Channel