Negociatat, BE “zbarkon” në Tiranë. Juncker e Hahn mbërrijnë të dielën, mungon Mogherini

22/02/2018 21:12

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn do të ndalen në Tiranë si pjesë e turit të tyre në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku mesazhi që do të përcillet është inkurajimi i reformave për anëtarësimin në BE.

Paraprakisht u njoftua se pjesë e këtij delegacioni do të ishte edhe Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, por mësohet se kjo e fundit nuk do të jetë në Shqipëri.

Hahn dhe Juncker do të ndalen në Shqipëri pas Maqedonisë. Pasditen e së dielës ata pritet të mbërrijnë në Tiranë për të qëndruar deri në mesditën e së hënës.

Axhenda parashikon diskutimin me udhëheqësit politikë dhe shoqërinë civile vendase strategjinë e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor.

Theksi do të vendoset tek reformat dhe plotësimi i kushteve të vendosura nga Brukseli në rastin e Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Komisioni Europian pritet që të propozojë një rritje të ndjeshme të financimit deri në 2020 nën instrumentin e ndihmës përgatitore për anëtarësim. Vetëm në këtë vit ndihma që do të jepet për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor parashikohet që të jetë 1.07 miliardë euro, ndërsa në dekadën e fundit, shuma e dhënë nga Brukseli për Ballkanin Perëndimor shkon në 9 miliardë euro.

Top Channel