Rusia pranon “disa dhjetëra” viktima rusë në Siri

20/02/2018 18:36

Ministria e Jashtme ruse ka konfirmuar për herë të parë se “disa dhjetëra” shtetas rusë, por jo ushtarë profesionistë, janë vrarë apo plagosur në luftimet e fundit në Siri.

Deklarata nuk jep të dhëna kohore se kur janë regjistruar këto viktima, por në të kaluarën, qeveria ruse kishte thënë se “ndoshta 5” rusë kanë vdekur në përplasjet në provincën e Deri al-Zourit.

Disa raportime theksojnë se më shumë se 100 mercenarë rusë janë vrarë nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara më 7 shkurt. Gjithashtu, Rusia nuk jep të dhëna as për luftëtarët “vullnetarë” që janë përfshirë në konfliktin e përgjakshëm civil në Siri.

Megjithatë, deklarata e fundit ruse thekson se nuk janë përfshirë pjesëtarë të Forcave të Armatosura ruse.

Ministria e Jashtme, e cituar nga agjencia e lajmeve “RIA”, i përshkroi viktimat si “qytetarë rusë që kanë shkuar në Siri me vullnetin e tyre për arsye të ndryshme”. Disa prej tyre janë edhe nga shtete të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik.

Deklarata nuk specifikon as numrin e të vdekurve apo të plagosurve, por flet për “disa dhjetëra” viktima, e vijon me faktin se të plagosurit po trajtohen tashmë në spitalet e Rusisë.

Zyrtarisht, roli ushtarak i Rusisë ka qenë përmes sulmeve ajrore, duke ndihmuar forcat e presidentit Bashar al-Assad. Gjithsesi, medie të huaja të pavarura kanë gjetur prova se luftëtarë të tjerë rusë kanë luftuar përkrah qeverisë siriane.

Top Channel