Hetimet në Katania, dosje e veçuar për Nezarin dhe persona të paidentifikuar

25/01/2018 19:41

Në mes të dhjetorit, në Shqipëri u raportua për mbylljen e hetimeve në Itali për grupin e Moisi Habilajt, 15 persona, shqiptarë e italianë.

Por Top Channel, që dispononte të plotë dokumentin e Prokurorisë së Katanias saktësoi se 4 të dyshuar, pikërisht Nezar Seiti, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj, Florian Habilaj, si dhe persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë, po hetohen të veçuar nga italianët.

Kurse mbyllja paraprake e hetimeve për 15 të tjerët, përfshi Moisi Habilajn, ishte vetëm një moment procedurial. Avokatja e njërit prej të akuzuarve, Gianluca Passavanti i tha Top Channel se hetimet vazhdonin.

Duke marrë Nezarin në Itali, prokurorët e Katanias do të plotësojnë hetimet për grupin e dytë, ku enigmë mbeten emrat që Prokuroria e Katanias nuk po i bën publikë. Ndaj, me largimin e Nezar Seitit, përgjigjen e kësaj enigme duket se do ta marrim nga Italia.

Top Channel