Institucionet e drejtësisë, opozita nuk voton komisionin e përbashkët

17/01/2018 12:55

Përmes Komisionit të Ligjeve, Kuvendi nisi procedurat për ngritjen e n/komisionit ad hoc që do të merret me përzgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë, të cilët do të bëhen pjesë e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe atij të Prokurorisë.

Opozita mori pjesë në mbledhje por nuk u përfshi në votimin e rregullores së n/komisionit, gjë që la të kuptohet cila do të jetë qasja e saj parlamentare ndaj ngritjes së organeve të reja të drejtësisë.

Sipas demokratëve, mazhoranca ka arritur të sigurojë shumicën në vendimmarrjen e KLP, që do t’i garantojë kapjen jo vetëm të kryeprokurorit me mandat të plotë, por edhe të SPAK-ut.

“Ju do të përcaktoni dhe ju do të rendisni nëpërmjet dorashkës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kush do të jenë prokurorët, që nëse dështon Parlamenti me 3/5, që do të thotë konsensus, e keni zgjidhur me renditjen që bën ky Këshilli juaj i Lartë i Prokurorisë. Është ky Këshill i Lartë i Prokurorisë, që jo do ta kapni me dorashkat tuaj, ai që do të përcaktojë se kush do të jenë prokurorët e SPAK-ut. Uji është i korruptuar që në burim. Është ndotur që në burim dhe ky komision dhe nënkomisioni që vjen pas tij, do të përballet pikërisht me këtë llumin antikushtetues që keni prodhur deri më sot”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi.

Mazhoranca nuk replikoi, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit paraqiti raportet e tij për kandidatët, mbi të cilat u duk se kishte paqartësi edhe nga vetë mazhoranca.

“Analiza e Sekretarit të Përgjithshëm ka qenë edhe më e thellë se ajo e kryer nga Komisionet ad hoc, edhe nga vetë ONM-ja në këtë rast, çka ka reflektuar edhe ndryshimet në ndonjë rast të klasifikimit, apo renditjes së pikëve. Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit nuk përjashton kandidaturat e propozuara në listën e ONM-së.

Tre anëtarët e mazhorancës në këtë n/komision ad hoc pritet të jenë Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Klotilda Ferhati. Ndërsa opozita do të ketë n/kryetarin Oerd Bylykbashi nga PD dhe Nasip Nacon nga LSI.

Top Channel