Investigimi i Fiks Fare, MB reagon ndaj PD: Hiqni dorë nga dhuna verbale

16/01/2018 18:06

Ministria e Brendshme ka reaguar ndaj deklaratës së Partisë Demokratike, ku me anë të Arben Ristanit, i cili duke iu referua rastit të denoncuar në Fiks Fare, ku një oficer policie ishte i përfshirë në trafikun e kokainës, tha se Vettingu në Polici, i nisur nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është thjeshtë propagandë.

Ministria e Brendshme i bën thirrje PD-së të heqë dorë nga dhuna verbale ndaj Policisë së Shtetit, e të bashkëpunojë për ta bërë vendin dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.

Në deklaratë thuhet se sa i përket rastit të denoncuar në Fiks Fare, Policia ka reaguar menjëherë duke pezulluar dhe shpallur në kërkim oficerin e dyshuar si të implikuar në këtë vepër penale.

Reagim i plotë MB-së për deklaratën e PD-së

Ministria e Brendshme, përmes Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe Policisë së Shtetit reaguan menjëherë mbrëmë pas publikimit të pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke pezulluar dhe shpallur në kërkim oficerin e dyshuar si të implikuar në këtë vepër penale.

Hetimet e plota nisën menjëherë nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë.

Ky është treguesi më i qartë se aktualisht në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, apo të mbrojtur në “çadrën” partiake, ashtu siç tregon vullnetin e qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin.

Ministria e Brendshme siguron qytetarët se, askush dhe për asnjë motiv, nuk do mund të ndryshojë vullnetin, për të luftuar krimin dhe goditur korrupsionin. Përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës nuk do ndalen. Vetting-u në Policinë e Shtetit, i mbështetur fuqimisht nga partnerët ndërkombëtarë, është një mekanizëm ligjor që do ta përshpejtojë procesin. Vetting-u do të reformojë kapacitetet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke promovuar pjesën më të shëndetshme, punonjësit më me integritet, të trajnuar, të mirë arsimuar, të cilët janë shumica në organizatë.

Duke përfituar nga rasti, i bëjmë thirrje PD-së të heqë dorë nga dhuna verbale ndaj Policisë së Shtetit, e të punojmë bashkë për ta bërë vendin dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.

Top Channel