Një tërmet me magnitudë 7.3 ballë i ka marrë jetën dy personave dhe ka plagosur 65 të tjerë në Perunë jugperëndimore.

Tërmeti ndodhi në orën 4:18 minuta sipas orës lokale. Epiqendra u shënua në oqeanin paqësor dhe dridhjet e tokës u ndjenë në një largësi prej 36 km.

Zyrtarët peruanë fillimisht thanë se druanin për jetën e 17 minatorëve që ishin bllokuar nën tokë pasi galeria ku po punonin ishte shembur.

Por ministri i shëndetësisë më pas tha se një ekip shpëtimi ishte dërguar në minierë dhe se të gjithë minatorët ishin nxjerrë nga nëntoka. Qeveria tha se dridhje të fuqishme toke ishin ndjerë edhe në Lomas, një qytet që ndodhet rreth 26 km larg nga epiqendra e tërmetit.

Zyrtarët lokalë konfirmuan ndërkohë se një person kishte humbur jetën në qytetin Yauca, pasi ishte goditur nga një shkëmb ndërsa një tjetër kish vdekur në qytetin Bella Union pasi një ndërtesë ishte shembur. Sipas institutit për mbrojtjen civile, 65 persona ishin lënduar. Autoritetet lokale po ashtu thanë se shumë shtëpi ishin shkatërruar në një numër qytezash të vogla.

Top Channel