Ballkani, si “Game of Thrones”, paralajmërimi i Tusk për problemet e rajonit

12/01/2018 14:30

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk paralajmëroi ndaj rrezikut të një përshkallëzimi të paparashikueshëm të situatës në Ballkanin Perëndimor të cilit Brukseli po i dërgon sinjale hapjeje për vendet e tij që kërkojnë aderimin.

BE-ja po e përdor presidencën gjashtë mujore të Bullgarisë për t’u përpjekur të frenojë ndikimin e Rusisë, Turqisë dhe vendeve te tjera që synojnë rritjen e influencës së tyre në atë që është përshkruar nga disa si “oborri i pasme i trazuar” i Europës.

Duke folur në ceremoninë zyrtare të nisjes së kryesimit të Bashkimit Europian nga Bullgaria, Tusk e krahasoi historinë e rajonit me serialin televiziv fantazi “Froni i Shpatave”.

“Historia e Ballkanit është me e gjallë dhe interesante sesa skenari i “Game of Thrones”, edhe pse atje nuk ka dragonj. Ne do të donim që e tashmja dhe e ardhmja e tij të jenë skenarë më pak dramatik. Stabiliteti, siguria, prosperiteti, këtë meritojnë njerëzit e të gjithë rajonit. Qëllimi i BE-së është të ndihmojë që ky skenar të bëhet realitet”, u shpreh Donald Tusk.

Sofia shpreson ta përdorë kryesimin e saj për t’i dhënë një shtysë të fortë përpjekjeve të anëtarësimit të Malit të Zi e Serbisë dhe të ndihmojë Shqipërinë e Maqedoninë që t’i afrohen çeljes së negociatave të anëtarësimit. Në muajin maj, ajo do të mbajë samitin e parë BE-Ballkan në 15 vjet. Por problemet rajonale në Bosnjë, Kosovë e Serbi po ngjallin gjithmonë e më shumë shqetësime përsa i takon stabilitetit rajonal dhe kjo në një kohë, kur Rusia i ka përshkallëzuar nga ana tjetër përpjekjet e saj për shtim të influencës e për të penguar integrimin e tyre euro-atlantik siç është rasti i Malit të Zi me NATO-n apo dhe largimin nga qëndrimi pro-Moskës që u vu re në Maqedoni.

Kryeministri bullgar, Boiko Borizov ka paralajmëruar më herët se evropianizimi i Ballkanit është i domosdoshëm për të parandaluar atë që e ai e quajti “ballkanizim të Europës”.

Top Channel