Reagimet ndaj vendimit të Ramush Haradinajt për të rritur pagën e tij dhe të kabinetit qeveritar nuk kanë përfunduar te protestat popullore; Instituti i Kosovës për Drejtësi IKD publikoi së fundi një analizë të shkurtër ligjore, në të cilën kujton se si përmes këtij vendimi, paga e Kryeministrit është ngritur në 2950 euro, ajo e zëvendëskryeministrave në 2500 euro dhe e ministrave në 2000 euro.

Nga përllogaritjet që bën IKD, Haradinaj bëhet kështu kreu më i paguar i ekzekutivit në rajon; pas tij vjen Edi Rama me 1700 euro në muaj, Zoran Zaev i Maqedonisë me 1300, kryeministri malazez merr në muaj 1130 euro dhe shefja e qeverise serbe e ka rrogën 1000 euro.

Vendimi i qeverisë kosovare për më tepër, sipas IKDS-se, tejkalon kompetencat e saj të përcaktuara me Ligj dhe me Rregulloren e Punës e bie ndesh me nenin 424 të kodit penal të Kosovës, i cili mbulon situatat e konfliktit të interesit.

Në një gjest proteste simbolike ndaj këtij vendimi të Haradinajt, organizata joqeveritare “Përtej Mureve”, mblodhi 214 kravata e shumë këmisha, të cilat i vari një ditë më parë në gardhin rrethues të Kryeministrisë.

Kreu i ekzekutivit u përpoq të justifikonte rritjen e pagave me nevojën për kravata dhe këmisha të reja në punën e tij të përditshme.

Në vitin 2016, paga mesatare në Kosovë ishte 501 euro në muaj.

Grupi “Përtej Mureve” po tenton të mbledhë 365 kravata për t’u siguruar që kryeministrit do t’i mjaftojnë për një vit.

Top Channel