SHBA: Thikë pas shpine. Ambasadori: Kosova zgjodhi izolimin

22/12/2017 20:02

Kosova alarmoi aleatët e saj më ta afërt me kërkesën e beftë në Kuvend të 43 deputetëve për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, diçka që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të SHBA, Britanisë së madhe dhe Bashkimit Evropian.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës u mblodh me urgjencë, por për shkak të mungesës së disa subjekteve nuk u bë i mundur kuorumi dhe rrjedhimisht nuk u mor vendim për zhvillim seance.

Në mbledhje ishin të pranishëm PDK, AAK dhe nisma, deputetët e të cilave kërkuan seancën. Por kjo e fundit u ndal nga ndërhyrja e ambasadorëve, të cilët thirrën në takim deputetët serbë dhe opozitën e përbërë nga Vetëvendosje e LDK, duke mos lejuar formimin e kuorumit.

Diplomatët e huaj në Prishtinë nuk u mjaftuan me kaq dhe reaguan shumë ashpër ndaj nismës duke paralajmëruar qartë Kosovën. Ambasadori amerikan Greg Delawie tha se përpjekja për shfuqizimin e gjykatës speciale është një gabim i madh, ndërsa shprehu habi nga kjo nismë pas asnjë debat publik më parë.

“Dua ta bëj të qartë se SHBA kundërshtojnë çdo përpjekje për ta zhbërë ose ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale. Kjo është e turpshme. Nëse kjo nismë do të ketë sukses, atëherë do të ketë edhe implikime jashtëzakonisht negative për të ardhmen e Kosovës, si pjesë e Europës. Do të konsiderohet nga SHBA si thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit. E urrej ta them, por do të kthehet ora prapa për Kosovën deklaroi Delawie.

Në të njëjtën kuadër u shpreh edhe Ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connell, i cili tha se kjo nismë e bënë këtë natën më të rrezikshme për Kosovën, që prej luftës. Ai shtoi se bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë dhe se, nëse ndalimi i Speciales ndodh, askush në botë nuk do të besojë më që Kosova është e interesuar për sundim të ligjit.

Top Channel