Padi për rrugën, auditi gjen 54 mln euro dëm në Tiranë-Elbasan

19/12/2017 15:31

Rreth 54 milionë dollarë janë dëmet nga shkeljet e gjetura në projektin e rrugës Tiranë-Elbasan, nga një audit i Ministrisë së Infrastrukturës.

Burime zyrtare të kësaj ministrie thonë se ministri Damian Gjiknuri ka kallëzuar penalisht ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, një emërim i Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë qeverisjes “Rama 1”.

Së bashku me Xhikën, janë kallëzuar edhe Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe Albens Alite, Drejtor aktual i kësaj njësie, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Kontrolli i Ministrisë mbi këtë projekt kishte nisur që në ditët e para të marrjes së portofolit nga Gjiknuri dhe pas largimit me dorëheqje të Dashamir Xhikës. Sipas dokumenteve të referuara në Prokurori, ish-zyrtarët e ARRSH akuzohen për “shpërdorim të detyrës, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë”.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, shkelejt përfshijnë edhe persona ende të paidentifikuar, që kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim në ndjekjen dhe zbatimin e kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan.

Sipas ministrisë, ky fakt ka shkaktuar pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit dhe të publikut, si dhe ka krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale nga subjekte juridike private.

Top Channel