Ekonomia ka qenë në qendër të takimit të dy qeverive, shqiptare dhe maqedonase në Pogradec. Në konferencën e përbashkët për shtyp të të dy krerëve të qeverive shqiptare dhe maqedonase, Edi Rama tha se u arritën një sërë marrëveshjesh, ku veçoi atë për ndërtimin e linjës hekurudhore Lin-Ohër dhe atë për një akses me të madh të palës maqedonase në portin e Durrësit.

“Është folur për hekurudhën që do të kalojë në zonat mes Ohrit dhe Linit dhe gjithashtu për Portin e Durrësit, i cili do të ketë më shumë akses nga pala maqedonase”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare, shprehu entuziazmin për ligjin e Gjuhës Shqipe në Maqedoni.

“Presim me padurim që ligji të kalojë dhe zbatimi i ligjit të fillojë sa më parë sepse është një tjetër forcim i konsiderueshëm i themeleve të Maqedonisë moderne”, tha Rama.

Kryeministri maqedonas, tha se procesi i Berlinit është një pikë takimi i të dy vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Sa i takon ligjit për Gjuhen Shqipe kryeministri maqedonas u zotua për ta çuar deri në fund premtimin e tij elektoral.

“Sa i takon ligjit për gjuhet në Parlament, unë u bëj thirrje partive politike në Maqedoni, që ta votojnë atë”, tha kryeministri maqedonas.

Zaev njoftoi se dy qeveritë do ta zhvillojnë mbledhjen e dytë të përbashkët në fillim të vitit që vjen në Ohër ose Strugë.

Ndërkohë gjatë kohës që zhvillohej mbledhja e dy qeverive, dega e Partisë Demokratike Pogradec dhe deputeti Klevis Balliu organizuan një protestë kundër, përpara godinës.

Top Channel