Gjiknuri: Projektet e investimit të përputhen me planet vendore

13/12/2017 12:09

Projektet e investimit duhet të përputhen me planet vendore, është shprehur Damian Gjiknuri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.

MIE bashkë me AKPT organizuan një forum me temë “Planet e përgjithshme vendore, një instrument dhe qasje e re për konsolidimin e reformës territoriale”.

Në fjalën e tij Gjiknuri, theksoi se planifikimi është gjëja më e vështirë, por njëkohësisht edhe më e rëndësishme.

“Dinamika njerëzore dhe natyra e zhvillimit që unë do ta quaja shpesh herë spontane, ka bërë që Shqipëria asnjëherë të mos kishte një plan dhe asnjëherë mos t’i qëndronte edhe tyre pak planeve që vetë kishte miratuar. Territori i Republikës së Shqipërisë deri në vitet 2014, ka patur vetëm 7% të territorit të mbuluar me planifikim, pjesa tjetër ishte pjesë e spontanitetit. Këtë raport e kemi ndryshuar radikalisht këto vite, duke bërë të mundur që me miratimin e planeve të pjesës më të madhe të bashkive, kemi bërë që pjesë më të madhe te territorit të Shqipërisë, rreth 77 % të territorit, e kemi të mbuluar me plane tashmë të qarta zhvillimore dhe që realisht iu takon autoriteteve vendore por edhe qeverisë, për mënyrën si do ndërveprojnë mes tyre në mënyrë që ky zhvillim të jetë me të vërtetë i qëndrueshëm dhe në përputhje më këto instrumenta strategjik që kemi miratuar, ndryshe gjithçka që bëjmë do të jetë një dështim” – u shpreh ministri.

Ministri Gjiknuri garantoi krerët e bashkive se do të kenë mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për përfundimin e planeve vendore.

“Qeveria do të angazhohet në këtë pjesë, nga ana tjetër meqenëse kemi ambasadorin e Zvicrës por edhe përfaqësues të tjerë nga komunitetit ndërkombëtar, ju bëj thirrje që të na ndihmoni edhe me pjesën tjetër financiare në mënyrë që e gjithë Shqipëria të jetë e mirëplanifikuar. ”

Në vijim Ministri Gjiknuri vuri theksin në zbatimin e planeve të përgjithshme vendore.

“Ky forum duhet të shfrytëzohet të ketë një dimension shumë praktik, çfarë duhet të përmirësojmë, çfarë duhet të bëjmë? Agjencitë qendrore qeveritare, agjencitë zhvillimore, fondi i zhvillimit, fondi i zhvillimit të rajoneve të gjitha këto duhet se si duhet të kontribuojnë për një zhvillim të qëndrueshëm. Si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe parë nga këndvështrimi i kompetencave dhe ministrisë që drejtoj, një planifikim i integruar i shumë zhvillimeve infrastrukturore duhet të jetë pjesë e kësaj. Dhe ky është avantazhi. Shpesh herë planifikimi i infrastrukturës kombëtare, ndërthuret edhe me planet vendore, apo prek interesat vendore, atëherë ku ka më mirë se të kemi një planifikim të integruar të këtyre interesave.”

Në përfundim, Ministri theksoi edhe rëndësinë e përfshirjes së diasporës në këtë proces, një tjetër iniciativë kjo e qeverisë shqiptare.

 

Top Channel