Nikola Gruevski, udhëheqës i VMRO-DMPNE-së që prej vitit 2003, paraqiti dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i partisë, që qeverisi Maqedoninë deri në muajin qershor, kur zgjedhjet do të përcaktonin ndryshimin e lidershipit në favor të Lidhjes Social-Demokrate të kryeministrit aktual, Zoran Zaev.

Arsyeja e vendimit të Gruevskit i detyrohet rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale të muajit tetor. Nga 80 komunat ku u mbajtën votimet, VMRO-ja arriti të fitojë vetëm në 5 prej tyre, rezultati më i dobët i saj që nga vendosja e pluralizmit.

Udhëheqësi i ri i partisë më të madhe të opozitës në Maqedoni do të zgjidhjet në Kongresin e jashtëzakonshëm pas dy javësh.

Komiteti Qendror i saj vendosi që Kongresi të zhvillohet në datat 22 dhe 23 dhjetor, me pjesëmarrjen e 544 delegatëve. Janë disa emrat e lakuar për kreun e partisë, ndër të cilët ish-ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Poposki, ish-ministri i Shëndetësisë, Nikola Dimitrov, Sekretari i Përgjithshëm, Hristijan Mickovski, ndërsa nuk ka mbetur jashtë diskutimeve as kandidatura e ish-udhëheqësit të vjetër, Lubço Georgievski.

Largimi i Gruevskit vjen në një kohë kur si ai, ashtu edhe figura të tjera të VMRO-së po përballen me procese gjyqësore për vepra të rënda penale. Ndaj ish-kreut të ekzekutivit janë duke u zhvilluar të paktën 4 procese për mashtrime zgjedhore, manipulim në tendera, porositje të dhunës ndaj zyrtarëve të LSDM-së, e shkelje të tjera. Ndërkohë, edhe 6 deputetë të VMRO-së po ndiqen penalisht për dhunën e ushtruar në Kuvend.

Top Channel