Banka Botërore ofroi 200 milionë dollarë kredi për të promovuar integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, pasi krerët e rajonit u zotuan të thellojnë lidhjet mes tyre dhe të punojnë së bashku drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Njoftimet u bënë në konferencën e nivelit të lartë mbajtur në Sofje të Bullgarisë, ku udhëheqësit pohuan se kishin rënë dakord mbi hapat që duhen ndjekur në drejtim të një integrimi më të thellë, përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe marrëdhënieve brenda rajonit e atyre me BE-në.

“Na takon neve të tregojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor i sjellin bllokut europian përparime, e jo probleme”, u shpreh kryeministri bullgar Bojko Borisov.

Në konferencë merrnin pjesë krerët e qeverive të Bullgarisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, presidentët e Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe ministri i Tregtisë së Jashtme të Bosnje-Hercegovinës.

Ndër të tjera u propozua që të gjitha këto vende të përfshiheshin në projektin e integrimit ekonomik të Bankës Botërore.

“Ne jemi të gatshëm të financojmë një projekt të tregtisë dhe transportit për të ndihmuar vendet e rajonit t’i heqin qafe pengesat që ekzistojnë sot”, tha në konferencë shefja ekzekutive e Bankës Botërore, Kristalina Georgieva.

Plani i këtij institucioni është të modernizohen pikat e kalimit kufitar në rajon, të përmirësohet efikasiteti i shërbimeve logjistike dhe të vendosen teknologjitë moderne për të përmirësuar transportin e mallrave dhe pasagjerëve.

Borisov shtoi se vendet ballkanike do të kërkojnë gjithashtu mbështetje financiare nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe ajo Europiane e Investimeve për projektet e tyre të përbashkëta.

Top Channel