Arrestohet nënkomisari i policisë, dyshohet si organizator i trafikut të 2.5 tonëve droge

05/12/2017 21:00

Pas më shumë se dhjetë muajsh hetimi, Prokuroria e Krimeve të Rënda nxori urdhër arreste edhe për tre persona të tjerë në lidhje me një sasi prej 2.5 tonësh droge, e llojit kanabis sativa, e cila u kap në Ankona në janar të këtij viti. Droga që kaloi nga porti i Durrësit, dyshohej se ishte e një rrjeti trafikantësh shqiptar.

Pas këtyre hetimeve rezultonte se organizatori i këtij trafiku ishte Festim Lelaj, aktualisht nënkomisar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit, i cili u arrestua nga kolegët e tij në mesdite.

Në Itali në janar u arrestua kamionisti Dhimo Koraj dhe pas bashkëpunimit me policinë shqiptare u arrestuan edhe tre trafikantë të dyshuar, Demo Progonati, Euron Hoti dhe Malton Lleshi, të cilët ndodhen në gjendje arresti.

Para pak ditësh, policia arrestoi një tjetër anëtar të këtij rrjeti, Aurel Laza. Në përfundim të këtyre hetimeve rezultoi se, të përfshirë ishin edhe Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa, që u arrestuan së bashku me oficerin e policisë Lelaj gjatë së martës.

Top Channel