Ndihmë të përmbyturve, bashkia e Tiranës pranë familjeve të dëmtuara

02/12/2017 10:10

Banorët e zonave që patën më shumë probleme me reshjet e dendura të dy netëve më parë janë ndihmuar me ndihma ushqimore dhe veshmbathje nga bashkia e Tiranës.

Grupit të vullnetarëve iu bashkua kryetari i bashkisë Veliaj i cili theksoi se janë marre masat që të ndihmohet çdo familje në nevojë.

“Jam shumë krenar sot për Tiranën. Tirana, kur shikon se ka një nevojë solidarizohet, kur shikon një problem e zgjidh, kur shikon një krizë mobilizohet dhe besoj se kjo është fryma e Tiranës, kjo e bën qytetin tonë të jetë një qytet unik në raste të tilla. Sot do të vazhdojmë me ndihma në njësinë 11, në njësinë 8 dhe në njësinë 4. Kemi të gjitha listat e familjeve me ndihmë ekonomike. Pra, tani që mbaruan shirat kemi mundësi që të shkojmë tek çdo familje që është në listën tonë”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës dhe bizneseve të kontribuojnë në mënyrë që të ndihmojnë edhe familje në qytete të tjera.

“Dua t’i bëj një ftesë të gjithë bizneseve që kanë mundësi, Tirana vërtet e kaloi më të keqen, por kemi ende familje në nevojë; do donim që pasi të mbaronim këtë fundjavë me shpërndarjen e ndihmave në Tiranë, të kemi mundësi të ndihmojmë dhe të solidarizohemi, edhe me qytetet e tjera. Sikur të kishim 1 milion veshmbathje, 1 milion paketa ushqimore, 1 milion vakte që shërbehen, sa bukur do ishte që ta transformonim të gjithë këtë energji negative në një energji pozitive”, u shpreh Veliaj.

Top Channel