Liberalizimi i vizave në Kosovë duhet të kishte ndodhur shumë më herët. Kështu u shpreh kongresmeni amerikan Eliot Engel në një intervistë për Radion ‘Europa e Lirë’.

Ndërsa kërkoi zgjidhje të çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, zyrtari i lartë amerikan, tha se me ose pa të, kosovarët duhet të kenë të drejta të barabarta me ato të shtetasve të tjerë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë kongresmeni e cilësoi si destruktive qasjen e Beogradit, që sipas tij e ka qëlluar disa herë pas shpine fqinjin e tij.

“Ata me efikasitet e kanë mbajtur Kosovën jashtë Kombeve të Bashkuara, e së bashku me Rusinë kanë ndërhyrë në UNESCO kur ne mendonim se do të vinte anëtarësimi”, ishin fjalët e Engel.

Kongresmeni u shpreh pro përfshirjes së SHBA në dialog, pasi siç tha, qytetarët e dinë se nëse kjo do të ndodhë interesat e tyre do të jenë të mbrojtura.

Top Channel