Operacioni i koduar “Forca e Ligjit” për goditjen e grupeve kriminale ka qenë në fokus të takimit të kësaj të marte të emisionit “Top Story” në Top Channel.

Në një panel të përbërë nga gazetarë dhe zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari është diskutuar për efikasitetin e këtij operacioni, nisur nga aksioni i parë i ekzekutuar në Fier, rast i cili humbi peshën kriminale kur u trajtua sot në gjykatë.

Në fjalën e saj, gazetarja e kronikës Anila Hoxha e ka cilësuar aksionin e pak ditëve më parë në Fier si një operacion rutinë të Policisë së Shtetit.

“Nëse i referohemi të dhënave zyrtare, ai konsiderohet një operacion i suksesshëm, por në prokurori nuk kemi një referim për këta persona. Unë e shoh si një vazhdim të operacioneve të zakonshme të policisë, i papërfillshëm”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka theksuar se, task forca speciale e ngritur posaçërisht për këtë operacion supozohet që të godasë krimin e organizuar dhe personazhe të njohura të botës së krimit.

“Ka pasur operacione me emra shumë të bukur, por në gjykatë kanë rënë njëra pas tjetrës dhe personat e dyshuar janë liruar”, ka thënë Hoxha.

Në të njëjtat linja, gazetari Xhevahir Zhabina ka deklaruar se “Forca e Ligjit” është vazhdim i operacionit “Vjeshtë 2017”. “Gjëja e vetme që ndryshon është prezantimi i task forcës që do të mbështesë “Forcën e Ligjit”, që mendoj se do të jenë në shërbim të një gjëje më të madhe që do të vijë më vonë”, ka thënë Zhabina.

Ai ka saktësuar se, task forca speciale do të identifikojë grupet kriminale dhe aktivitetet ku ato janë përfshirë dhe më pas Struktura e Posacme Anti-Korrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të kenë diçka me çfarë të nisë punën.

Ndërkohë, zëvendës ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka deklaruar se operacioni “Forca e Ligjit” është një nismë e qeverisë për të realizuar atë që sipas tij ka munguar gjatë gjithë kësaj kohe. “Që është koordinimi i institucioneve për identifikimin e personave të përfshirë në krim të organizuar”, ka thënë Lamallari.

Duke iu referuar aksionit të Fierit, Lamallari ka nënvizuar se, “nëse këta persona njihen, atëherë banorët e Fierit duhen pyetur”. “Ata dyshohet të jenë përfshirë edhe në krime të tjera të rënda, jo vetëm për trafik droge. Fakti që nuk janë të njohur për median nuk do të thotë se nuk duhet të goditen nga forca e ligjit”, ka thënë Lamallari.

Ai ka theksuar se që nga miratimi i këtij vendimi nga qeveria është bërë një punë e madhe, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. “Është bërë një punë intensive për të arritur në zbatimin e aksionit në Fier dhe mirësia e këtij plani veprimi është se ndryshe nga e shkuara, kur kishim operacione të fragmentarizuara, sot janë të koordinuara me prokurorinë dhe institucione të tjera dhe në task forcë do të ketë prokurorë, zyrtarë të Agjencisë Kundër Pastrimit të Parave, Doganave, etj”, ka thënë Lamallari.

Ai ka shprehur bindjen se ky operacion që së shpejti do të shtrihet në zona të tjera të vendit do të ketë sukses, edhe për shkak të rritjes së asistencës ndërkombëtare.

“Kemi një ekspertizë të shtuar nga partnerët ndërkombëtarë, mes të cilëve ekspertë të FBI, policia gjermane, GdF, dy agjentë britanikë. Pra, krahas qasjes së të shkuarës, sot kemi një qasje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Lamallari.

Ai ka vijuar duke thënë se, synimi i “Forca e Ligjit” është që të goditen edhe pasuritë e krimit, në mënyrë që dëmtimi i krimit të jetë afatgjatë. Ai ka bërë me dije se, ka një analizë që po bëhet mbi grupet kriminale në drejtoritë e policisë dhe task forca speciale po informohet për to dhe për pasuritë që gëzojnë.

“Ka veprimtari të grupeve kriminale që janë të dokumentuara. Dhe veç grupeve të Fierit ka edhe grupe në gjithë Shqipërinë”, ka shtuar Lamallari.

Në vijim të debatit, gazetarja Anila Hoxha ka ngritur shqetësimin për vrasjet e bujshme të ndodhura në vend, të cilat nuk janë zbardhur dhe janë lënë në harresë.

“Fakti që vrasje si ajo e Fatmir Xhindit, Artan Santos, Skerdilajt Konomit nuk janë zbardhur ende do të thotë se ose institucionet janë të paafta, ose…”, ka thënë Hoxha.

Top Channel