Të paktën deri në fund të vitit, por me gjasë edhe në muajt e parë të vitit të ardhshëm, artistët e Cirkut Kombëtar do të vijojnë të japin shfaqje për publikun në çadrën e cirkut në qendër të Tiranës.

“Ne jemi në punë. Vazhdojmë të kënaqim publikun. Për sa u përket çështjeve ligjore, mesa duket ka një marrëveshje midis palëve. Për momentin unë si drejtues i Cirkut Kombëtar nuk kam asnjë njoftim zyrtar”, thotë Saimir Çili, Drejtor i Cirkut Kombëtar.

Aktualisht Cirku Kombëtar varet nga Ministria e Kulturës, ndërsa thuhet se po bëhen përpjekje që të kalojë në varësinë e Bashkisë së Tiranës, çka do t’i jepte mundësinë këtij cirku të shpërngulej në një tjetër hapësirë me kushte më të mira.

“Unë e kam gjetur si problem, problemin e kaldajës. Sa për ftohje nuk bëhet fjalë, këtu nuk realizohet dot, ndërsa për kaldajen po njihem me dokumentacionin. Me këtë rast ftoj edhe biznesin që të na ndihmojë, jo çdo gjë duhet ta marrim nga shteti, duhet të kemi bashkëpunëtorë edhe bizneset”, deklaron Çili.

Sa u takon kafshëve, që janë thuajse një element i munguar, drejtuesi i sapozgjedhur i cirkut, thotë se po punohet për zgjidhjen e këtij problemi.

“Shfaqjet tona janë edhe me kafshë, ndër ta janë edhe qentë që kanë ngelur si traditë. Më parë ka pasur edhe kafshë të tjera. Për këtë kam lajmëruar të gjithë ish-mjeshtrat e cirkut kombëtar, ndër ta edhe Tahir Bacovën për të na ndihmuar. Problem i kafshëve është pak specifik, sepse duhet një njeri që të punojë me mjeshtrin, të rrijë gjatë me të. Shpresoj që ta zgjidhim”, shprehet Çili.

Me gjithë kushtet e vështira të stërvitjes së artistëve dhe realizimit të shfaqjeve, cirku vijon çdo të shtunë e të dielë të kënaqë publikun, ndërsa po përgatitet për premierën e fundvitit.

Top Channel